Zelensky thotë se situata në Bakhmut po bëhet gjithnjë më e vështirë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se situata në qytetin Bakhmut, i cili ndodhet në vijën e frontit të lindjes, është duke u bërë “gjithnjë më e vështirë”.
“Armiku është duke shkatërruar vazhdimisht gjithçka që mund të përdoret për t’i mbrojtur pozicionet tona”- deklaroi presidenti ukrainas.
Deklarata e tij erdhi pas paralajmërimit të sekretares së Thesarit të ShBA-së, Janet Yellen, ndaj Kinës që të mos e furnizojë Rusinë me armë. Ajo e vizitoi Kievin të hënën, raporton televizioni BBC.
Disa nga luftimet më të ashpra që nga fillimi i luftës janë zhvilluar në Bakhmut, qytet që shtrihet në rajonin lindor ukrainas, Donetsk. Ky rajon kontrollohet pjesërisht nga Rusia dhe nga separatistët e përkrahur prej saj.
Përpjekjet e fundit të forcave ruse për ta marrë nën kontroll qytetin industrial janë shpeshtuar dhe trupat ruse kanë fituar terren.
Udhëheqësi separatist i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut, Denis Pushilin, tha se “praktikisht të gjitha rrugët për në këtë qytet janë nën kontrollin e zjarrit (rus)”.
Komandanti i forcave tokësore ukrainase, Oleksandr Syrskyi, tha se situata përreth Bakhmutit është “tepër e tensionuar”.
“Pavarësisht nga humbjet e konsiderueshme, armiku i hodhi njësitet më të përgatitura për sulm të “Wagner”-it, të cilat po mundohen që ta thyejnë mbrojtjen e trupave tona përreth qytetit”- tha ai.
Duke folur për situatën në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelensky tha se arritja e fitimit të pozicioneve në Bakhmut dhe sigurimi i mbrojtjes së tij po komprometohen rëndë nga sulmi i përtërirë i Rusisë.
Ai bëri përsëri thirrje që Ukraina të furnizohet me aeroplanë luftarakë modernë në mënyrë që “i tërë territori i vendit tonë” të mund të mbrohet nga “terrori rus”.
Gjatë vizitës së saj të befasishme në Kiev të hënën, sekretarja Yellen njoftoi për transferimin më të ri prej 1,25 miliard dollarësh si pjesë e ndihmave ekonomike të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.
Ajo e përsëriti premtimin e presidentit amerikan, Joe Biden, se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme për ta fituar luftën.

