Zelensky kërkon që tanket e Perëndimit t’i dërgohen shpejt Ukrainës - NACIONALE

Zelensky kërkon që tanket e Perëndimit t’i dërgohen shpejt Ukrainës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka falënderuar udhëheqësit perëndimorë për dhurimin e tankeve për ta përkrahur luftën e vendit të tij kundër Rusisë, por ka thënë se ato duhet të jepen shpejt.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, presidenti ukrainas i bëri thirrje Perëndimit që Ukrainës t’i dhurojë edhe raketa me rreze të gjatë veprimi e aeroplanë luftarakë, raporton televizioni BBC.

Komentet e tij erdhën pas njoftimeve të Shteteve të Bashkuara e të Gjermanisë se ato do të dërgojnë në Ukrainë tanke “Abrams” dhe “Leopard”.

Rusia e kritikoi këtë veprim, duke e quajtur “provokim flagrant” dhe tha se tanket e dhuruara do të shkatërrohen. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se tanket “do të digjen si të gjitha të tjerat” dhe se “ato thjesht janë shumë të shtrenjta”.

Zelensky tha se i ka thënë sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, se “duhet të bëhet progres në aspekte të tjera të bashkëpunimit tonë për mbrojtje”. Ukraina ka kërkuar furnizim me raketa me rreze të gjatë dhe artileri.

Përpos dërgimit të shpejtë të tankeve në Ukrainë, Zelensky kërkoi që edhe numri i tyre të jetë i konsiderueshëm. “Ne duhet të formojmë një forcë të atillë tankesh, një forcë të atillë lirie, saqë pasi të sulmojë ajo, tirania të mos ngrihet kurrë më përsëri”- tha ai.

Përderisa Zelensky tani, me gjasë, do të përqendrohet te furnizimi i forcave ajrore me aeroplanë luftarakë me teknologji më të avancuar pas sigurimit të tankeve, shumë qeveri perëndimore mbeten kundër dhurimit të tyre, duke pasur frikë se aeroplanët do të mund të përdoreshin për të sulmuar brenda territorit të Rusisë.

Në fjalimin e tij në Kuvendin e Gjermanisë të mërkurën, duke vënë në pah hollësi të planit për dërgimin e tankeve në Ukrainë, kancelari Olaf Scholz këmbënguli se “nuk do të ketë dërgim të aeroplanëve luftarakë në Ukrainë”.

Lajme të ngjashme