Zbutja e tensioneve, zgjedhjet dhe Asociacioni – Cilat janë kërkesat e kancelarit Scholz për Kosovën e Serbinë?
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka përsëritur kërkesat që shteti gjerman dhe gjithë Bashkimi Evropian ka për Kosovën e Serbinë pas tensioneve të fundit në veri.
Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Dimitar Kovaçevksi, Scholz deklaroi se është i domosdoshëm qetësimi i situatës.
Sipas tij, kjo arrihet fillimisht me zgjedhje të reja që duhet të mbahen sa më shpejt që është e mundur në pjesën veriore.
"Ekziston një marrëveshje e propozuar dhe negociuar nga dy vendet që pasqyron një kontratë që do të rregullojë bazat e marrëdhënieve dhe që tani duhet të vihet në jetë. Kjo përfshin një seri të tërë marrëveshjesh dhe ato tani duhet të zbatohen. Nga këndvështrimi ynë, është e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në shtensionim, që të mbahen sa më shpejt zgjedhjet në komunat serbe në Kosovë”, tha kancelari gjerman.
Por, si duhet të mbahen zgjedhjet? Scholz tha se duhet të ketë pjesëmarrje të lartë, dhe përsëriti kërkesën që të formohet Asociacioni.
”Të ketë një pjesëmarrje të lartë dhe që të zgjedhurit të mos jenë vetëm të zgjedhur formalisht, por që aty të jenë aktivë bashkiake dhe bashkiakë legjitimë, që të zbatohet pjesa e marrëveshjes mbi Asociacionin e Komunave Serbe. Kjo duhet bërë tani. Ne po bëjmë përpjekje që këtë ta kuptojnë të gjithë. Kjo vlen për Bashkimin Evropian dhe të ngarkuarin e Komisionit”, deklaroi më tutje kancelari gjerman.
Sipas kancelarit, këto kërkesa janë na Franca, Gjermania, Italia e Amerika.
“Kjo vlen për Francën, Gjermaninë, Italinë dhe SHBA-të, të cilat janë të përfshira shumë intensivisht në këtë proces. Prandaj edhe unë mbetem me shpresë se të gjithë do të kemi së bashku sukses dhe se të gjithë pjesëmarrësit në terren do të japin kontributin e tyre për fqinjësi të mirë mes të dy vendeve", deklaroi kancelari gjerman.
Udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së të enjten dhe të premten në Bruksel do të diskutojnë për procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe për situatën e sigurisë në Kosovë si dhe për procesin e normalizimit të marrëdhënive mes Kosovës dhe Serbisë. Vendet e BE-së kanë paralajmëruar edhe masa ndëshkuese nëse palët nuk punojnë për shtensionim të situatës.
Tashmë masat ndëshkuese janë publikuar nëse eventualisht nuk ka shtensionim të situatës në Kosovë.
Një nga masat ndëshkuese është pezullimi i punës për trupat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA).
Masa tjetër është suspendimi i fondeve për Kosovën.
Ndërkaq, si pasojë e mos shtensionimit do të ketë edhe pezullim të takimeve të nivelit të lartë dhe vizitave bilaterale.

