Ymeri sugjeron mbajtjen e një proteste: Unë jam i pari që dal, t’i shpërfaqim pakënaqësitë
Visar Ymeri, analist i njohur, ka folur për qeverisjen e Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga ish-partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti. Në analizën e tij, Ymeri ka qenë krejtësisht i qartë, duke e theksuar se Qeveria Kurti i ka bërë “një dëm të madh ekonomisë së Kosovës”.
Në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, Ymeri foli për nevojën e protestës në Kosovë. Në lidhje me këtë koncept, pra protestën, Ymeri vlerësoi se ka një keqkuptim, pasi “protestat nuk bëhen vetëm me rrëzu qeverinë”.
Sipas Ymerit, që dikur ishte kryetar i LVV-së, pra Kurti ishte vartës i tij, protestat bëhen edhe për të “manifestuar një pakënaqësi”. Në këtë kontekst, Ymeri e shpjegoi se pret një reflektim nga ana e opozitës.
“Qeveria besoj se i ka bërë një dëm të madh ekonomisë së Kosovës, dhe roli primar i opozitës me e dëshmu përmes diskursit publik, cilat janë dëmet ekonomike që i ka shkaktuar Kurti dhe sjellja e tij, të mos flasim për dialogun por vetëm ekonominë, dhe pse e kemi sot gjendjen më të rënduar. Unë pres nga partitë politike të ndryshojnë qasjen…Partitë opozitare e grupet shoqërore duhet me ndryshu këtë qasjen karshi protestës, shkak i Lëvizjes Vetëvendosje. Ka një keqkuptim për protestat që bëhen vetëm me rrëzu qeverinë, që nuk është e vërtetë t’i bën protesta për me manifestu një pakënaqësi. Kjo mënyrë qysh pushteti po i cenon mediat, është cenim flagrantë i demokracisë dhe fjalës së lirë” – ka thënë Ymeri.
Në vazhdimin e analizës së tij, Ymeri vlerësoi se duhet të ketë një protestë në sheshet e Prishtinës. Sipas Ymerit, protesta nuk duhet të thirret për të rrëzuar Qeverinë, por për të shpërfaqur pakënaqësinë.
“Kjo qasje zmbrapset vetëm nëse sheh rrezik elektoral dhe rreziku elektorale unë mendoj se më së miri manifestohet me një protestë të madhe në sheshet e Prishtinës. Unë s’mund të bëj thirrje, por unë mendoj që duhet të ketë, nëse dikush bën thirrje për këtë punë unë jam i pari që do të dalë, prapë po them jo me rrëzu qeverinë, por zgjedhjet te jenë më 26 janar si janë caktuar apo si do të caktohet shpresoj nga presidentja. Por me tregu që kjo shoqëri nuk i pranon dhe nuk i lejon këto, sepse kjo është mënyra qysh ne e shpërfaqim pakënaqësinë”, ka thënë tutje ai.
Sjellim ndër mend që Ymeri është një nga analistët më të zëshëm në kritikën e tij dhe është posaçërisht i shkathët në përballjen me eksponentë të ndryshëm të Qeverisë Kurti. Nacionale disa herë kishte shkruar në lidhje me këtë çështje.
Muaj më parë, Ymeri ishte përballur me ministrin e Financave, Hekuran Murati, deputetin e VV-së, Armend Muja dhe zëvendësministrin e Ministrisë së Drejtësisë, Vigan Qorrolli.