Xhandarmëria e Kurtit “as nuk duhet, as nuk bëhet”: AAK dhe PDK e shohin për prirje autokratike dhe propagandë
- "As nuk duhet, e as nuk do të bëhet."
Kështu tha Bekë Berisha i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për senzacionin më të fundit të fushatës zgjedhore: premtimin e Vetëvendosjes për krijimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës.
Vetëvendosja e Albin Kurtit doli me këtë zotim si forcë "më shumë se polici dhe më pak si ushtri."
Asaj i dha tone të ruajtjes së kufirit Kosovë–Serbi, integritetit territorial, sovranitetit dhe luftës kundër terrorizmit.
Berisha s'e blen aspak këtë tregim.
Për të, Kurti me premtime të tilla veçse dëshiron një forcë shtypëse ndaj qytetarëve.
"Këto janë instrumente të frikshme të kontrollit dhe shtypjes," tha Berisha për Nacionalen.
Berisha e komentoi si një agjenci paraushtarake që Vetëvendosja dëshiron ta ketë për forcë të veten, të cilën do ta ndikonte politikisht.
"Qysh është ATK-ja që i sulmon bizneset, qysh është parapolitika me të cilat i etiketon njerëzit, pastaj edhe një sektor që shkon dhe i poshton e shtyp qytetarët e brendshëm."
"E tash këtë e shesin si propagandë për kinse po dojmë me mbrojtë Kosovën prej Serbie, por qëllimi është me rujt pushtetin e vet."
"Kjo nuk duhet e as nuk do të ndodh, që m'u formu këso formacione paraushtarake ku munden me shtyp popullin," tha Berisha.
Ganimete Musliu e PDK-së tha se Vetëvendosja kur s'ka çka i ofron vendit ekonomikisht, "bën propagandë."
"Pas katër vitesh qeverisjeje me shumë zhurmë e pak rezultate, sot po na shitet edhe 'Xhandarmëria' si sukses i madh."
"Qytetarët sot kanë nevojë për vende pune, ulje të çmimeve, zhvillim ekonomik dhe siguri reale, jo për propagandë të re."
"Na duhen uniforma të reja për policët, këpucë të papërshkueshme nga uji, sigurime shëndetësore dhe paga të dinjitetshme, që policët të mos punojnë ditën policë, e natën kamarierë apo taksistë," shkroi Musliu.
Autoriteti final i sigurisë në Kosovë, sipas Nenit 153 të Kushtetutës, është KFOR-i.
Megjithatë, fushatat zgjedhore prodhojnë premtime senzacionale.
Albin Kurti, mbrëmë në KTV, tha se xhandarmëria do të krijohet "në mandatin katërvjeçar."
Ai e përshkroi si forcë kufitare për ruajtjen e kufijve gati 400 kilometërsh me Serbinë.
Gazetari e sfidoi: çështjet e ruajtjes ushtarake të kufirit janë nën ekskluzivitetin e KFOR-it dhe FSK-ja nuk vepron atje pa leje të NATO-s.
Kurti tha se "do ta bëjmë në bashkëpunim me NATO-n."
Vetëvendosja, megjithatë, e preu këtë pjesë nga klipi i shpërndarë në Facebook.
"Do të kemi diçka të re. Në mandatin e ardhshëm do ta formojmë xhandarmërinë."
"Xhandarmëria mes policisë dhe ushtrisë, siç i ka Italia karabinierët, ose Franca. Edhe ne do ta kemi xhandarmërinë tonë," tha Kurti.
Ministri Sveçla nënshkroi menjëherë themelimin e grupit punues.
Sipas tij, xhandarmëria do të garantojë "prezencë të fuqishme shtetërore," do të ruajë kufijt dhe do të merret me menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë.
Nacionale ka dërguar pyetje te KFOR-i: si harmonizojnë mandatet, kur FSK-ja nuk vepron në veri pa leje të NATO-s?*