“Vula përfundimtare”: Krerët e institucioneve përkujtojnë vendimin e GJND-së për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës
Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, i cili u publikua më 22 korrik të vitit 2010, ishte përgjigje zyrtare ndaj kërkesës për një opinion këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organ i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Ky ishte rasti i parë në lidhje me një shpallje të pavarësisë që u paraqit para kësaj gjykate. Njëherit ky opinion përbën momentin më të rëndësishëm pas vet Shpalljes së Pavarësisë, në kontekstin ndërkombëtar.
Pikërisht 13 vjet më parë, iu dha “vula” mëvetësisë së Kosovës. Opinioni përdoret gjerësisht për të argumentuar subjektivitetin e Kosovës në arenë ndërkombëtare. Si dhe përbën arsyetim real në fushatën e Kosovës dhe vendeve mike, për njohjen e pavarësisë nga vendet mosnjohëse.
Sot në përvjetorin e 13-të të këtij vendimi të GJND-së kanë reaguar edhe krerët e institucioneve të Kosovë si edhe krerët e partive opozitare, duke vlerësuar se në atë kohë ishte vendosur “vula” mbi Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
E para e vendit, Vjosa Osmani ka shkruar në Twitter, se ky vendim/opinion, historik mbetet një thirrje për vendet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë atë.
“13 vjet më parë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar. 13 vjet më vonë, ky opinion historik mbetet një thirrje për vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, të bashkohen me demokracitë në mbarë botën dhe të njohin realitetin e pakthyeshëm të Republikës sonë sovrane.” – ka shkruar presidentja Osmani.
Rreth këtij vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ishte vendosmëria që shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Kurtit ndër të tjera ka thënë se kjo gjykatë i ka dhënë vulën përfundimtare asaj që e dinin gjithë kohën mbështetësit e drejtësisë.
“Në këtë ditë të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – gjykata më e lartë e OKB-së – vendosi që shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë një vulë përfundimtare asaj që ata që mbështesin të drejtat e njeriut dhe drejtësinë e dinin gjatë gjithë kohës.” – ka shkruar Kurti.
Ndërsa, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në 13 vjetorin e opinionit të GJND-së ka shpërndarë videon e momentit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në Kuvend, nga ish-presidenti Hashim Thaçi.
Krasniqi ka thënë se edhe 13 vite pas “kujtojmë dhe nderojmë sakrificën e madhe ndër breza të popullit tonë dhe luftën e shenjtë e çlirimtare të UÇK-së”.
“Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Me vullnetin dhe përpjekjen për shtetformim të një lidershipi vizionar, në koordinim me miq e aleatë e jo kundër tyre, me dashuri e përkushtim për të ardhmen e sigurt të fëmijëve tanë dhe jo duke e rrezikuar atë - shpallja e pavarësisë është suksesi ynë më i madh historik. Prandaj, edhe sot, kujtojmë dhe nderojmë sakrificën e madhe ndër breza të popullit tonë dhe luftën e shenjtë e çlirimtare të UÇK-së. Krenarë, sot e përjetësisht, me shtetin dhe qytetarët tonë liridashës!” – ka shkruar Krasniqi.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se sot 13-vjet më parë u dëshmua legjitimiteti i të drejtës tonë për liri, pavarësi dhe demokraci.
“Ky gjykim i drejtë e vendim i shumëpritur i dha vulën finale drejtësisë, dhe i hapi rrugë Kosovës që të vazhdojë kërkimin e përfshirjes si shtet i barabartë mes shteteve demokratike. Në gjithë këtë rrugëtim plot sfida e njëkohësisht përplot momente përmbushjeje si kjo, Kosova qëndroi krah aleancës së pa rezervë të SHBA-së e miqve tjerë ndërkombëtarë.” – thuhet në shkrimin e LDK-së.
Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të drejtësisë mbi Pavarësinë e Kosovës u përkujtua edhe nga kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka vlerësuar se vendimi i GJND-së është ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë se Kosovës.
Sipas tij, rreshtimi i Kosovës kah vlerat evropiane duhet të jetë synim i pa kompromis.
“13 vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, legjitimoi përpjekjet tona historike, të drejtën tonë për shtet. ë të shtetformimit dhe shtetndërtimit. Rreshtimi kah vlerat perëndimore dhe orientimi ynë euro-atlantik duhet të jetë synimi ynë i pakompromis. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në, është rruga e vetme për realizimin e synimeve tona si shtet.” - ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.


