Vuçiqi i shumë fytyrave: herë në Moskë, herë në Odesë - NACIONALE

Vuçiqi i shumë fytyrave: herë në Moskë, herë në Odesë

1 muaj më parë

nga Col Mehmeti

11 qershor 2025 – Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka vazhduar me manovrën e radhës me diplomacinë e dy karrigeve për sa i përket luftës në Ukrainë.

Nëse me 9 maj me pjesëmarrjen e tij kundërthënëse në Paradën e Fitores në Kremlin zgjoi reagime në Bruksel, sot ai ka bërë një vizitë të papritur në Ukrainë.

Siç bëhet e ditur, kreu i shtetit serb ka marrë pjesë në një samit rajonal në Odesë, vizitë kjo që shënohet si e para prejse erdhi në pushtet.

Në vizitën që u njoftua vetëm pas largimit të tij nga Serbia, Vuçiqi mori pjesë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në qytetin-port në Detin e Zi, vetëm ca ditë pasi qyteti në fjalë u godit nga një rrebesh raketash e dronësh rusë.

Kjo vizitë pritet të shkaktojë zemëratë në Moskë, sidomos për marrëdhëniet që vlerësohen jo të lehta.

Në fillim të këtij muaji, inteligjenca ruse ka fshikulluar Serbinë se po e furnizon Ukrainën me armatime, duke i përsëritur njoftimet e mëparshme se eksportet serbe në armë përfundojnë në Kyiv nëpërmjet vendeve të treta.

Vitin e kaluar, gazeta Financial Times bëri të ditur se Serbia ka eksportuar municione në vlerë prej 800 milionë eurosh në Ukrainë.

Të gjitha këto zhvillime kanë në sfond qëndrimin e dyfishtë të Beogradit karshi gjendjes në Ukrainë.

Sado që Serbia është vendi i vetëm në Evropë që i është shmangur vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, ajo prapëseprapë ka mbështetur disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që kanë dënuar veprimet ruse si dhe ka lëshuar deklarata në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës. /Nacionale/

Lajme të ngjashme