Moska grumbullon autokratët e botës – Vuçiqi shihet mes tyre
Shteti rus paraditën e sotme ka filluar shënimet për 80-vjetorin e fitores sovjetike dhe aleate mbi Gjermaninë naziste.
Në mesin e 29 udhëheqësve e krerëve të shteteve pjesëmarrëse që kanë marrëdhënie të mira me regjimin e Putinit ndodhet edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Pavarësisht se për një gjë të tillë janë paralajmëruar konsekuenca, sidomos me pezullimin e procesit të integrimit të Serbisë në BE, ai prapëseprapë nuk e ka refuzuar ftesën e Putinit.
Siç është thënë edhe më parë, pjesa më e madhe e udhëheqësve pjesëmarrës shquhen për mënyrën e tyre autokratike të qeverisjes.
Nga krejt BE-ja vetëm kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, është pjesëmarrës në paradën ushtarake në Moskë, e krahas tij edhe presidenti i të ashtuquajturës Republikë Serbe në Bosnjë, Milorad Dodik.
Në ceremonitë e sotme në Moskë janë të pranishëm liderë kryesisht të majtë nga Kina, Brazili, Venezuela, Kuba dhe Vietnami – Xi Jinping, Luis Inacio Lula da Silva, Nicolas Maduro, Miguel Díaz-Canel dhe To Lam.
Në mesin e mysafirëve janë edhe presidentët e Egjiptit, Bellarusisë dhe Azerbajxhanit – Abdel Fattah el-Sisi, Alexander Lukashenko dhe Ilham Aliyev, madje edhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan.
Në ceremonitë e sotme janë të pranishëm edhe presidentët e pesë ish-republikave sovjetike në Azinë qendrore, Kazakistani (Kasim Zomart Tokayev), Kirigistani (Sadir Zhaparov), Taxhikistani (Emomali Rahmon), Turkmenistani (Serdar Berdymukhamedov) dhe Uzbekistani (Shavkat Mirziyoyev).
Ndryshe, Putini gjatë mbrëmjes së djeshme ka mirëpritur mysafirët në Kremlin, kurse Vuçiqi e ka afishuar në Instagram një video ku shihet duke i shtrënguar duart me udhëheqësin rus.
“Putini sapo më tha, ti erdhe! Përgjigjja ime ishte, faleminderit për mikëpritjen tënde dhe gëzuar festën”, ka shkruar Vuçiqi.
Vizita e presidentit serb në Rusi vjen në kohën kur Bashkimi Evropian u ka kërkuar vendeve anëtare dhe atyre kandidate që të bojkotojnë shënimet e sivjetme në Moskë për shkak të invazionit rus në Ukrainë.
Në takimin e djeshëm jozyrtar të ministrave të jashtëm të BE-së, udhëheqësja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas ka thënë se ata që vërtet duan paqe në Ukrainë “nuk mund të rrinë sup më sup” me Putinin më 9 maj, por janë të detyruar të jenë në Kiev.
“Shtetet anëtare nuk e marrin këtë lehtë dhe ato kanë plot pyetje: kush janë miqtë tuaj dhe me kë keni punë”, ka është përgjigjur Kalas në pyetjen se si e komenton praninë e Vuçiqit në paradën ushtarake në Moskë.
Kritik është shfaqur edhe vetë raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, i cili ka thënë se me vizitën e Vuçiqit në Moskë do të jetë tepër e vështirë që të avokohet për përparim më të shpejtë të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.
“Lëvizje si këto, si të shkosh te këmbët e Vladimir Putinit në Moskë, në këtë moment vetëm sa trimërojnë ata që do ta shlyejnë fare lehtë Serbinë si kandidate premtuese për avancim në anëtarësimin në BE. Iu bashkohem atyre në këtë”, ka thënë Picula.
Pasi të kenë përfunduar ceremonitë e paradës ushtarake në Sheshin e Kuq, Vuçiqi gjatë ditës së sotme fillimisht do të takohet me liderin kinez Xi e pastaj edhe me Putinin, me të cilin do të bisedojë për një marrëveshje të re gazi, për industrinë e naftës në Serbi, e cila është sanksionuar prej ShBA-ve për shkak të pronësisë ruse.
Dje, presidenti serb ka zhvilluar takime të ndara edhe me El-Sisin, Dodikun, Tokaevin si dhe patriarkun e Moskës dhe Gjithë Rusisë, Kirilin, të cilit i ndau Urdhrin e Republikës së Serbisë. /Nacionale/