Vuçiq krenohet me “mosnënshkrim” në Bruksel, akuzon Kurtin për “marifete” në shmangie të Asociacionit
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ia ofroi një dokument në tryezë me kërkesën e vetme: firmose.
Por, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me melodramaticitetin e tij si markë shënjuese të karakterit të tij politik e medial, tha se e ka refuzuar.
“Nuk mund të nënshkruaj”.
Kështu tha Vuçiq t’i ketë thënë Macron-it, ndërsa arsyen për këtë refuzim tha ta ketë pasur në Kushtetutën e Serbisë, për të cilën tha se “e dua dhe e respektoj”.
Kjo në lidhje për Marrëveshjen Bazike për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi e cila thehet në dy përbërës kyç: Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe si platformë autonomie politike për serbët e Kosovës dhe njohjes së quajtur “de facto” të Kosovës nga Serbia.
“Isha ulur i vetëm përballë Olaf Scholz-it, Emmanuel Macron, Josep Borrell, Miroslav Lajçak. Dhe Macron-i më jep dokumentet dhe më thotë të nënshkruajë. Dhe unë, i ulur vetëm, dhe duke menduar në kokën time, në fund kthehem i them që kam Kushtetutën e Serbisë, të cilën e dua dhe e respektoj, dhe se nuk mund të nënshkruajë”, ka thënë Aleksandar Vuçiq në një intervistë në Tv Prva.
Për planin e ofruar nga “pesëshja e madhe” më 21 tetor në Prishtinë dhe në Beograd, Vuçiq tha se e ka pranuar – plan për të cilin shprehet se “është bazë solide” dhe e cila “i referohet ekskluzivisht themelimit të Asociacionit” dhe që përmban edhe një draft-Statut të kësaj organizate.
E këtu, ai akuzoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po zhvillon “marifet pas marifeti” në shmangien e zbatimit të Asociacionit, e për çka edhe shtoi se “ka arritur t’i mashtrojë edhe disa në Evropë dhe Shtete të Bashkuara”.
Për atë që Kurti tha se Vuçiqi “ka kërkuar t’i pranohet një letër anësore” dhe e cila “praktikisht do t’i zhbënte tri parime” të Marrëveshjes Bazike, Vuçiq e mohoi duke shtuar se “kam kërkuar të vendoset vetëm presje”.
“Nuk kam kërkuar letër anësore, siç tha Kurti. Thash që jam gati të përmbush obligimet tona, dhe pastaj vendosa një presje dhe shtova që nuk mund të pranojmë ndonjë gjë që ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të tyre në OKB. Thash atë që kam thanë në Ohër dhe Kisihnau, e kam thënë çdo herë”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
Këtu ai iu rikthye asaj që i qëndron për “vija të kuqe” ende të marrëveshjes, ndonëse marrëvesja është konkluduar në shkurt dhe mars dhe s’mund të ndryshohet.
“Jo njohje të pavarësisë, as ‘de jure’ as ‘de facto’ të Kosovës, dhe jo anëtarësimit të tyre në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.
“Kurti nuk dëshiron të flasë për Asociacionin”, tha i sigurt Vuçiqi, e madje duke shtuar edhe “ka aktorë politikë nga shumë vende që s’duan të shohin formimin e Asociacionit të Komunave (të banuara me shumicë) Serbe”.
Por, intervistueses së tij në Tv Prva – televizion ky kryekëput propagandistik dhe në shërbim të qeverisë serbe dhe mesazheve të tyre – ai u kthye me një garancion.
“Serbia”, tha ai, “në pozicion të lehtë nuk është...por, ama nuk ka asnjë arsye për t'u shqetësuar”.
Këtu ai iu kthye edhe vendeve fqinje “armiqësore” duke nënkuptuar në rend të parë Kroacinë se kanë kërkuar që në konkluzionet e Këshillit Evropian të dënohet sulmi terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit si i tillë. “Por, nuk kaloi”, tha ai.
Vuçiq tha se ngjarjet i referohen si “një i vdekur” referuar rreshterit policor, Afrim Bunjakut, por se ka këmbëngulur që tëthuhet “jo një, por katër”.
“Ata ende thonë një, unë them katër. Ka gjëra të cilave duhet t’u reagosh”, ka thënë ai.


