Vrasja në Prizren, flet avokati për Nacionalen: “Kobra” dyshohet për vrasje dhe dy vepra të tjera - NACIONALE

Vrasja në Prizren, flet avokati për Nacionalen: “Kobra” dyshohet për vrasje dhe dy vepra të tjera

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dibran Hoxhaj, i njohur me nofkën “Kobra” po dyshohet se e vrau Visart Cengun, shtetas i Shqipërisë. E kjo çështje po zbardhet gjithnjë e më shumë me detaje të reja.

Avokati i Hoxhajt, Nexhat Elshani, i ka thënë gazetës Nacionale se klienti i tij po akuzohet për tri vepra penale, ndër to edhe vrasje.

I ka disa vepra, saktësisht tri vepra. Për vrasje, armë mbajtje si dhe për shkaktim të rrezikut. Pesë janë të dyshuar. Unë e kam marrë tashmë vendimin për ndalimin 48 orësh.", ka deklaruar Elshani.

Nacionale e ka pyetur avokatin Elshani, nëse “Kobra” e ka thënë fjalën e tij për rastin, por avokati ka treguar se ai ka vendosur të mbrohet në heshtje.

Është mbrojtë në heshtje. Nuk ka folë, nuk e pranon veprën.” - ka thënë tutje avokati.

Gjatë periudhës 48 orëshe pritet që gjykata të vendosë, nëse të akuzuarit do të shkojnë në paraburgim ose jo.

Avokati Elshani, ka thënë se pret që nesër të ketë veprime në këtë drejtim.

Si nisi sherri?

Nga Policia e Kukësit i thanë Gazetës Nacionale se si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Nga deklarimet e para të shtetasit të plagosur dhe shtetasit A. B., që i ka transportuar për në spital, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në dalje të Prizrenit, ku pas një konflikti në një lokal nate me disa shtetas kosovar”, thotë zëdhënësja e Policisë së Kuksit, Diana Deda.

Ajo thotë se në momentin kur tashmë viktima e i plagosuri po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi Hoxhaj, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.

“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre.Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit. Grupi hetimor vijon veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thotë Deda.

Kush ishte Virsant Cengu?

Erdhi nga Parisi, ishte nga fshati Shtiqën, vëllai i vetëm

Visart Cengu, është 31 vjeçari i cili u vra me armë zjarri në Prizren. Ai ishte me origjinë nga fshati Shtiqen i Kukësit. Sipas burimeve të Nacionales, ai nga viti 2005 ishte zhvendosur nga fshati për në qytetin e Kukësit bashkë me familjen.

Por që një kohë Cengu jetonte kohë pas kohe në Evropë, e së fundmi ishte zhvendosë për në Francë.

Ai ishte vëlla i dy motrave.

Në Kosovë erdhi së bashku me shokët, për t'i festuar ditët e para të 2023-ës.

Kush është Kobra, i dyshuari për vrasje

Dibran Hoxhaj i njohur gjërësisht si "Kobra" është i dyshuari kryesor për vrasjen e një të riu nga Shqipëria, të hënën mbrëma, derisa një tjetër mbeti i plagosur nga të sht shtënat. Por, kush është "Kobra" dhe si u bë i njohur për publikun?

Në një episod të Prive, derisa prezantohet si "dikush e njeh për të mirë e shumëkush edhe për të keq", “Kobra” shihet duke dalë nga shtëpia me një stil që supozohet të jetë glamuroz, derisa është i rrethuar nga disa persona e vetura luksoze.

Derisa elaboron në "karrierën e tij të gjatë prej problematiku", Hoxhaj shprehet: "Njerëzit flasin gjithçka, është e drejta e tyne, por këto gjana (që është problematik) janë të vërteta. Mirëpo, i kanë ekzagjëru aq shumë sa s'po muj me besu që a jom edhe unë ai person për të cilin po flasim".

Përndryshe, ai është pronar i lokalit "Kobra City" në Prizren - ku raportohet se filloi sherri që përfundoi me tragjedi. I njëjti vend ku kishte fituar famë edhe kërcimtarja, sensacion për një kohë në rrjetet sociale, "Kallashi".

"Kobra" karakterizohet me një stil jetese luksi, ashtu siç e portretizon vazhdimisht veten në paraqitjet e tij publike, ndërsa pothuajse gjithmonë bartë në qafë një zinxhir të trashë të lidhur për një katrori të gjatë që duket të jetë goxha i rëndë.

Në paraqitjet e tij në TikTok, ai vazhdimisht shfaqet si person i përcjellur nga një grumbull personash tjerë, derisa zakonisht pamjet kapin atë duke dalë apo duke u futur në ndonjë lokal, ku kryesisht përfshihet edhe futja apo dalja nga veturat.

Përndryshe, ai thotë se ka kryer 198 vepra penale (të dhënat zyrtare nga policia thonë se ka 16 vepra penale), për të cilat pytetet në një paraqitje në "Top Chanel" nëse është penduar.

"Normal që jom pendu dhe i sugjeroj gjithë rinisë të mos zgjedhin këtë rrugë. Është jetë e vështirë dhe jo të gjithë e kanë këtë fat që ta mbijetojnë. Një në njëqind raste mund të jem unë. Se ata që e kanë zgjedhë mund edhe të mos ekzistojnë, janë të ndjerë", thotë ai.

Lajme të ngjashme