Vrasja e 35-vjeçares në QKUK, vdekja e futbollistit të Kosovës, vendimi për vizat – Zhvillimet kryesore të javës
Kosova është tronditur këtë javë nga vrasja makabre e 35-vjeçares, Hamide Magashit. Krimi u krye para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, ku Magashi po priste të lindte pas një dite. Vrasjen e kreu ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, që dy ditë më vonë e vrau edhe veten. Kosova u trondit sërish dje kur u mor vesh se një talent në futboll ndërroi jetë në fushën e lojës. Fjala ishte për Erion Kajtazin, lojtarin e Trepçës 89 dhe Kombëtares së Kosovës U17 në futboll. Gjatë kësaj jave, ambasadorët e vendeve të BE-së kanë çuar përpara procesin e liberalizimit të vizave. Nacionale sjell zhvillimet kryesore të javës.
Të enjten ishte e planifikuar ta sillte në jetë fëmijën e saj të parë. Por, gjatë qëndrimit në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, Hamide Magashi, u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili. Ajo u qëllua me disa plumba, duke mbetur e vrarë bashkë me fëmijën e saj.
Kjo ngjarje ka tronditur gjithë Kosovën përgjatë tërë javës. Shteti u vlerësua se ka dështuar ta mbrojë Magashin, pasi ndaj saj kishte pasur edhe urdhër-mbrojtës. Ajo ishte ndarë nga bashkëshorti disa muaj më parë, për shkak se ishte përballur me dhunë të vazhdueshme edhe nga familjarët e Sokol Halilit.
Vetë Sokol Halili nuk pranoi të dorëzohet te Policia e Kosovës. Ai e vrau veten të premten, në shtëpinë e tij në Shtime, duke lënë edhe një letër.
Motrat e Magashit kishin rrëfyer për gazetën Nacionale për dhunën e vazhdueshme që Hamide Magashi e kishte pasur nga ish-bashkëshorti dhe familja e tij.
Dorëheqje nuk ofroi askush nga udhëheqësit e institucioneve, por veprimet nisën tek dje kur Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi suspendimin e katër policëve. Ata dyshohet se nuk e kanë zbatuar urdhrin mbrojtës ndaj Magashit.
“Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri te dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar “. Nga veprimet hetimore deri më tani, siç është bërë e ditur në komunikatë, si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues)”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me vartësen e saj në ministrinë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, paralajmëruan dorëheqje e shkarkime. Këta dy së bashku, më së shumti kanë atakuar institucionet e drejtësisë, gjyqësorin e prokurorinë, duke pretenduar se nuk e kanë kryer punën si duhet.
Për këtë rast ditën e enjte u zhvillua edhe një protestë në Prishtinë.
Vendimi për liberalizimin e vizave
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm gjatë javës, ishte edhe vendimi i ambasadorëve të vendeve të BE-së për ta shtyrë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar të mërkurën për t'i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
“Sot ne kemi marrë një hap të rëndësishëm për Kosovën drejt lëvizjes së lirë pa viza dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë këtë premtim një realitet. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur falë përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollin kufitar, për të menaxhuar migrimin dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm sa do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky.
Vendi i tij udhëheq presidencën e bllokut evropian dhe ka përpiluar tekstin e vendimit që është miratuar nga ambasadorët e BE-së.
Futbolli në zi – Vdes në fushë talenti i Kosovës
Kosova u trondit sërish në fundin e javës. Futbolli është në zi. Talenti i tTrepçës 89 djhe Kosovës U17, Erion Kajtazi, ka vdekur në fushën e futbollit pas një sulmi kardiak gjatë ndeshjes miqësore që po e zhvillonte kundër skuadrës A&N.
Pavarësisht intervenimit të dy ekipeve mjekësore, Erion Kajtazi është dërguar në Spitalin e Prizrenit pa shenja jete. Futbolli, dhe jo vetëm, është në zi.
Federata e Futbollit të Kosovës nëpërmjet një komunikate për media, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Kajtazit.
“Talenti i madh i futbollit kosovar ka qenë duke luajtur në ndeshjen A&N – Trepça’89, në kuadër të Superligës në kategorinë e juniorëve, kur në një moment ka rënë pa vetëdije në fushë. Stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren. Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak. Federata e Futbollit e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Kajtazi, FC “Trepça’89” dhe tërë komunitetit të futbollit për vdekjen e parakohshme të Erionit”, thuhet në komunikatë.
Erion Kajtazi do të varroset sot në orën 14:30 në fshatin Zasellë.


