Votat në shtatë komunat kryesore: Sa fituan partitë në zgjedhjet e vitit 2021 dhe sa mund të fitojnë tash?
Lëvizja Vetëvendosje, para katër vitesh, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, arriti 438 mijë vota. Pra, më shumë se 50%. Si rezultat, partia e Albin Kurtit që qeverisi tash e katër vjet, kishte siguruar fitore edhe në shtatë rajonet kryesore të Kosovës. Pra, në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Prizren dhe Ferizaj. Por, katër vjet pas, cilat mund të jenë rezultatet në shtatë komunat kryesore?
Në zgjedhjet që do të mbahen të dielën e 9 shkurtit në Kosovë, partia e drejtuar nga kryeministri Kurti, ka vënë cakun në 500 mijë vota. Pra, 60 mijë më shumë se që kishte fituar para 4 vitesh.
Megjithatë, sipas njohësit të statistikave, Shenoll Muharremi, një gjë e tillë është pothuajse e pamundur të arrihet. Muharremi me matje të detajizuara, ka përpunuar grafikone të ndryshme me të cilat ka parashikuar numrin e votave që mund të marrin partitë në komuna të ndryshme.
Prishtina, Gjilani, Gjakova, Peja, Prizreni, Mitrovica, Ferizaj, janë prej komunave ku beteja do të jetë më e madhe mes partive politike në Kosovë. Si do të jenë votat në këto komuna?
PRISHTINA
Në kryeqytet, komuna më e madhe me numrin e votuesve dhe të banorëve, pritet një garë interesante. Në zgjedhjet e vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë mbi 71 mijë vota. LDK-ja afër 18 mijë, kurse PDK-ja, afër 13 mijë të tjera.
Sipas analizës që e ka realizuar njohësi Shenoll Muharremi, del se Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë rënie të votave. Muharremi në një bashkëpunim me Nacionalen, ka treguar se partia në pushtet, në kryeqytet mund të shkojë deri në 50 mijë vota. Lidhja Demokratike e Kosovës rreth 30 mijë, kurse PDK-ja mbi 16 mijë vota.
Pra, Muharremi vlerëson një rënie të votave për rreth 20 mijë për Vetëvendosjen, kurse rritje për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës.
Sipas grafikës së realizuar nga Muharremi, në Prishtinë votues potencial për zgjedhjet e 9 shkurtit janë rreth 110 mijë.
FERIZAJ
Komuna e Ferizajt, me dallime të mëdha me votat e partive në zgjedhjet qendrore e lokale, mbetet një prej zonave ku vota kërkohet dhe është me rëndësi të madhe. Në grafikonin e realizuar nga Shenoll Muharremi, ai ka krahasuar votat e zgjedhjeve qendrore me ato lokale, si dhe një projeksion se sa mund të fitojnë partitë më 9 shkurt.

Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021 kishte fituar mbi 35 mijë vota në Ferizaj. Për Kuvend Komunal në zgjedhje lokale, kishte arritur afër 10 mijë vota. Kurse, në projeksionin e Muharremit, ai vlerëson se VV-ja në Ferizaj mund të fitojë mbi 24 mijë vota. Pra, një rënie për gati 10 mijë vota në krahasim me zgjedhjet qendrore të vitit 2021.
Kurse, sipas parashikimit të tij, Partia Demokratike e Kosovës do të shkojë në mbi 15 mijë vota në Ferizaj, për dallim nga 11 sa kishte në vitin 2021. Lidhja Demokratike e Kosovës sipas këtij projeksioni, në Ferizaj do të marrë mbi 8 mijë vota.
Grafikoni i Muharremit tregon se numri i votuesve në Ferizaj është mbi 122 mijë, por që votues potencialë janë mbi 56 mijë.
GJAKOVA
Në komunën e Gjakovës, sipas projeksionit të realizuar nga Shenoll Muharremi, janë mbi 123 mijë votues. Por prej tyre, votues potencialë llogariten afër 42 mijë e 500.
Sipas kësaj matje, Vetëvendosje në komunën e Gjakovës, mund të shkojë deri në 16 mijë vota, për dallim nga zgjedhjet e vitit 2021 kur kishte pasur 24 mijë. Projeksioni i Muharremit, parashikon se AAK-Nisma në Gjakovë, do të jenë në vendin e dytë me mbi 13 mijë vota. LDK-ja e katërta me 8 mijë e 500 vota, kurse Partia Demokratike e Kosovës me mbi 4 mijë vota.
PEJA
Në rajonin e Dukagjinit, përveç Gjakovës, garë e fortë pritet edhe në Pejë. Atje ku udhëheqë kryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri.
Sipas projeksioneve të hartuara nga Shenoll Muharremi, Lëvizja Vetëvendosje në këtë komunë mund të fitojë 37% të votave, apo 16 mijë e 600. Lidhja Demokratike e Kosovës 24.8% apo 11 mijë e 143 vota, AAK-ja 18.5% apo 6 mijë e 800 vota, kurse PDK-ja mbi 4 mijë vota, apo 11.8%.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Vetëvendosje në Pejë kishte fituar 50.02% të votave, duke lënë pas LDK-në me 18%, AAK-në me 14% dhe PDK-në me 9.1%.
Në Pejë më pas, në zgjedhjet lokale, Gazmend Muhaxheri i LDK-së kishte fituar pa balotazh.
GJILAN
Një nga komunat ku vota ka lëvizuar shumë ndër vite nga një parti në tjetrën, me ndryshime në zgjedhjet lokale e qendrore, është komuna e Gjilanit.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Vetëvendosje kishte fituar mbi 32 mijë vota, LDK-ja mbi 7 mijë e 500 vota, PDK-ja afër 6 mijë vota, AAK-ja mbi 1 mijë vota. Disa muaj më pas, në zgjedhjet lokale për kuvend komunal, VV-ja mori mbi 11 mijë vota, LDK-ja rreth 15 mijë e 500, PDK-ja mbi 5 mijë vota dhe AAK-ja mbi 2 mijë e 700.
Sipas Shenoll Muharremit, vota në këtë komunë sërish mund të ketë lëvizje. Sipas këtyre matjeve, VV-ja mund të shkojë deri në 20 mijë e 500 vota në komunën e Gjilanit. Lidhja Demokratike e Kosovës afër 13 mijë vota, PDK-ja mbi 7 mijë e 500 vota, kurse AAK-ja afër 2 mijë vota.
Muharremi për Nacionalen ka sqaruar se se në Gjilan numri i banorëve ka rënë për dallim nga viti 2021, dhe mund të ketë ardhje fizike të diasporës në numër më të madh për të votuar.
MITROVICA
Komuna e cila aktualisht qeveriset nga kandidati i PDK-së për kryeministër, është Mitrovica. Atje pritet një garë e fortë duke ditur përkrahjen e Bedri Hamzës, dhe votat që kishte marrë në zgjedhjet e kaluara partia në pushtet.

Në zgjedhjet qendrore të vitit 2021, Vetëvendosje kishte fituar mbi 22 mijë vota, apo 64%. PDK-ja 8 mijë e 500 vota, apo 24%, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës mbi 2 mijë e 100 vota, apo 6.13%. Vota për kuvend komunal në zgjedhjet lokale, lëvizi në mënyrë drastike. Vetëvendosje mori 8 mijë e 600 vota apo 30%, PDK-ja mbi 11 mijë vota apo 39%, LDK-ja mbi 4 mijë e 400 vota, apo 16%.
Njohësi Muharremi ka parashikuar rënie të Vetëvendosjes në numër të votave në Mitrovicë, dhe rritje të PDK-së. Sipas tij, në Mitrovicë VV-ja do të sigurojë mbi 17 mijë vota, kurse PDK-ja mbi 11 mijë vota. Lidhja Demokratike e Kosovës mbi 3 mijë e 600 vota.
PRIZRENI
Projeksioni i Muharremit, e nxjerr Vetëvendosjen në Prizren me mbi 23 mijë vota. PDK-në të dytën me mbi 14 mijë e 800 vota, kurse LDK-ja mbi 11 mijë e 300 vota. Pakicat, mbi 10 mijë e 500 vota.
Pavarësisht se sipas këtij projeksioni partia në pushtet ruan vendin e parë në zgjedhje qendrore, kjo del të jetë një rënie krahasuar me vitin 2021 në zgjedhjet qendrore. Atëherë VV-ja kishte marrë në Prizren mbi 33 mijë vota, PDK-ja 11 mijë, LDK-ja mbi 6 mijë.
Por, numrat sërish u luhatën në zgjedhjet lokale për kuvend komunal. Aty, Vetëvendosja kishte marrë 14 mijë vota, PDK-ja 14 mijë, LDK-ja 8 mijë. Pra, ka ndarje të votës mes tri partive, dhe mbetet të shihet rezultati.
Kosova voton më 9 shkurt, në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare pas shpalljes së pavarësisë.
