“Krimi ka emër; hajnat në burg”: Vërshojnë reagimet pas intervistimit të Dejona Mihalit
Dejona Mihali, koordinatorja e fuqishme e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Siç mori vesh Nacionale, Mihali pritet të intervistohet në lidhje me hetimet rreth aferës së Nagip Krasniqit, ish-kryeshef i KEK-ut, i cili dje doli para Gjykatës Themelore dhe për një tjetër rast të korrupsionit. Tashmë lajmi për intervistimin e Mihalit ka marrë dhenë, duke u komentuar gjerësisht.
Në një njoftim, Prokuroria Speciale tha se Mihali po intervistohet në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, që po hetohen nga kjo prokurori.
“Njoftim për media nga Prokuroria Speciale
Prishtinë, 20 shtator 2024 –
Pas interesimit për të marr informacion nga një numër i madh i gazetarëve, Prokuroria Speciale informon se sot, Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie.
E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori i ka në hetim” – thuhet në njoftim.
Lider i parë opozitar që reagoi për këtë intervistim ishte Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së. Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj shkroi se “mafisë energjetike” po i ngushtohet rrethi.
“Po i ngushtohet rrethi Mafisë Energjetike.
Veprimet e fundit të drejtësisë në Kosovë po i japin shpresë popullit për fuqinë e ligjit mbi të gjithë. Mafia Energjetike duhet të përballet me ligjin. Shteti ligjor dhe demokracia nuk dorëzohen para strukturave të dyshimta kriminale. Po i ngushtohet rrethi” – ka shkruar Haradinaj.
Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së, ishte shumë i shkurtër në komentin e tij.
“Krimi ka emër” – shkroi Gashi.
Ndërsa Genc Prelvukaj, anëtar i Kryesisë së PDK-së, shkroi se pushtetin e pret një vjeshtë e vështirë.
“Njeriu i dytë për nga rëndësia në partinë Vetëvendosje, Dejona Mihali, qenka intervistuar sot nga Prokuroria Speciale për dy raste korruptive.
Mësa duket, vjeshtë e vështirë për pushtetin” – ka shkruar Prelvukaj.
Anëtari i Nismës, Zafir Berisha, ka komentuar intervistimin e Mihalit, duke thënë se “edhe 15 kate me bë Dubravën, nuk ka me i zënë këta hajdutë”.
“Komisarja politike e VV Dejona Mihali, po intervistohet sot në Prokurorinë Speciale, për korrupsion të nivelt të lartë, ku janë në pytje miliona ero. Edhe 15 kate me bë Dubravën nuk ka me zën keta hajtut ordiner, të cilën në mënyr të pamëshirshme po i vjedhin parat e qytetarëve të Kosovës” – ka shkruar Berisha.
Ndërsa analistët e ndryshëm kanë përdorur disa sllogane të kahmotshme të VV-së, duke i akuzuar me to vetë partinë në pushtet. Ilir Mirena, analist, e përdori metaforën me katet e Dubravës, një deklaratë e famshme e kryeministrit Albin Kurti për luftimin e korrupsionit.
“Jo veç Dejona Mihali, po krejt kete pushtet aktual keni me i pa duke u intervistu neper prokurori e gjykata. Krejt per korrupcion, hajni e nepotizem…
Edhe me e ba Dubraven 12 kate, k’ta s’ka me i zane…” – ka shkruar ai.
Ndërsa analisti tjetër, Vehbi Kajtazi reagoi shkurtimisht, duke shkruar “krejt dhe drejt Prokurorisë Speciale!”.
Kush është Dejona Mihali?
Gazeta Nacionale ka raportuar vazhdimisht për ndikimin e madh Dejona Mihalit. Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje nuk është thjeshtë një zyrtare e VV-së. Ajo duket se e kontrollon të gjithë partinë në pushtet.
Për një gjë të tillë kishin treguar edhe ish-deputetët e VV-së. Deputeti Haki Abazi kishte thënë se Dejona Mihali ushtron kontroll të madh mbi grupin parlamentar të Vetëvendosjes.
Është thënë se ajo ua shkruan edhe fjalimet deputetëve të VV-së.
Gjithashtu, është raportuar se është e përfshirë në mënyrë direkte në eliminimet politike brenda partisë në pushtet.
Ajo publikisht është paraqitur shumë rrallë, por ka qenë mjaft aktive në Facebook me statuset e saj. Në qëndrimet e saj, ajo ka kritikuara ashpër opozitën, mediat dhe sindikatat e pavarur.