"Vjenë o qytet i bekuar": Kurti e kalon gjysmën e intervistës para popullit duke folur për Austrinë
56 minuta u është dashur të presin qytetarëve të Kosovës që kanë qenë të interesuar ta ndjekin intervistën e kryeministrit Albin Kurti në televizionin publik. Kjo pasi që siç u bë e ditur, pati probleme teknike.
Megjithatë, edhe ajo pritje, mund të mos ia ketë vlejtur pasi që pjesën më të madhe, Kurti foli për Vjenën, atje ku edhe po qëndron për vizitë zyrtare.
Derisa intervista e kryeministrit filloi në minutën e 56-të, ai gati 15 minuta i kaloi duke folur për Austrinë. Çështjeve të tjera, shefi i ekzekutivit ua “rezervoi” veç katër minuta.
Siç raportoi Nacionale më herët, Kurti foli mjaft shumë për raportet e Kosovës me këtë shtet të vogël.
“Është e rëndësishme të hyjmë në një fazë të re zhvillimore, ku Kosovë-Austri nuk janë vetëm marrëdhënie politike e diplomatike por edhe biznesore,” – tha ai.
Për të justifikuar praninë e tij në kryeqytetin austriak, ai tha se “në Vjenë ishte vendi ku ishin zhvilluar shumë negociata,”
“Në Vjenë është vendi ku është mbajtur Kongresi i Vjenës,” – u shpreh kryeministri, pasi paraprakisht kishte folur edhe për rritjen e eksporteve të Kosovës në Austri.
Kurti u pyet edhe në lidhje me diasporën kosovare në Austri, më specifikisht edhe me studentët që bënin jetë në këtë shtet.
“Besoj që në Austri numri i studentëve nga Kosova është mbiproporcianlisht më i madh se numri i emigrantëve nga Kosova.” – u shpreh Kurti, derisa tregoi se bashkë me të po qëndron edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Në katër minutat e mbetur, Kurti u pyet për kërkesën e tij të përsëritur për numër më të madh të trupave të KFOR-it në Kosovë. Por, ai kësaj here përmendi rritjen e buxhetit për ushtrinë e Kosovës.
Kryeministri shprehu gatishmërinë dhe interesimin duke e pranuar se ky vendim (për numrin e trupave të NATO-s) merrte vendim dikush tjetër.
Megjithatë, disa prej mediave më prestigjioze amerikane, Bloomberg dhe Washington Post, sot publikuan editorialin e të parës që kërkonte presion ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit madje edhe përmes idesë së tërheqjes së trupave të KFOR-it nga Kosova.

