Banaliteti i së mirës: Kurti del në RTK, nuk thotë asgjë - NACIONALE

Banaliteti i së mirës: Kurti del në RTK, nuk thotë asgjë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot një intervistë në transmetuesin publik ku ka shpalosur më në fund para opinionit kosovar qëndrimet e fundit në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend. Si më lart mund të ishte hyrja e shkrimit për intervistën e Kurtit sot në RTK, por ja që nuk është. Ajo u karakterizua nga hyrja e intervistës, e tëra banale. Çka tha saktësisht Kurti?

Këtë intervistë Kurti e dha nga Vjena pas takimit që pati me kancelarin e Austrisë, Karl Nehamer. Dhe, fatkeqësisht, intervista nisi shumë më vonë se që ishte paraparë duke ‘shtrënguar’ popullin të shikonte, mes tjerësh... edhe Bujar Dugollin, të dyshuarin si plagjiator.

Por, ‘banaliteti’ vazhdoi, me Kurtin që foli goxha gjatë për raportet e Kosovës – madje edhe ato ekonomike – me këtë shtet të vogël të botës që quhet Austri (natyrisht, e dimë se edhe ne jemi shtet i vogël).

“Është e rëndësishme të hyjmë në një fazë të re zhvillimore, ku Kosovë-Austri nuk janë vetëm marrëdhënie politike e diplomatike por edhe biznesore,” – vazhdoi ai.

Për të justifikuar praninë e tij në kryeqytetin austriak, ai tha se “në Vjenë ishte vendi ku ishin zhvilluar shumë negociata,”

“Në Vjenë është vendi ku është mbajtur Kongresi i Vjenës,” – u shpreh kryeministri, pasi paraprakisht kishte folur edhe për rritjen e eksporteve të Kosovës në Austri.

Kurti u pyet edhe në lidhje me diasporën kosovare në Austri, më specifikisht edhe me studentët që bënin jetë në këtë shtet.

“Besoj që në Austri numri i studentëve nga Kosova është mbiproporcianlisht më i madh se numri i emigrantëve nga Kosova.” – u shpreh Kurti, derisa tregoi se me vete e kishte marrë ministrin Hajrulla Çeku.

Vetëm më vonë Kurti nisi të fliste për atë që kishte rëndësi. U pyet për kërkesën e tij të përsëritur për numër më të madh të trupave të KFOR-it në Kosovë. Por, ai kësaj here përmendi rritjen e buxhetit për ushtrinë e Kosovës. E bash në këtë pikë, u paraqitën probleme teknike, me mikrofon...

Nga ajo që dëgjohej u kuptua se Kurti po shprehte gatishmërinë dhe interesimin duke e pranuar se ky vendim (për numrin e trupave të NATO-s) merrte vendim dikush tjetër. Por, sot mediet amerikane (Bloomberd dhe Washington Post) kanë publikuar editorialin e të parës që kërkonte presion ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit madje edhe përmes idesë së tërheqjes së trupave të KFOR-it nga Kosova.

Kurti përsëriti qëndrimin se është dashur të ketë takime më të shpeshta me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiqin në Bruksel.

Më pas, intervista u mbyll. Kaq. Fund!

Kurti është kritikuar vazhdimisht për shpërfilljen e gazetarëve dhe opinionit kosovar. Vetëm gjatë ditës së sotme, Nacionale ka publikuar dy intervista të tij për medie ndërkombëtare, njëra për Der Standard të Austrisë dhe tjetra për El Pais të Spanjës.

Për fat të keq, në të dy këto intervista ai ishte më përmbajtësor se sa në intervistën e sontme për televizionin publik dhe foli për gjëra që kishin më shumë rëndësi për të ardhmen e vendit.

Mund t'i lexoni të përmbledhura më poshtë:

Lajme të ngjashme