Vizitat në veri, dinari e sondazhet: Çka ndodhi gjatë javës?
Diskutimet për dinarin në Bruksel, sondazhet e fundit të partive politike, e “sfilatat” e pushtetarëve në veri, ishin ndër temat kryesore të javës që po e lëmë pas. Për çka do të mbahet mend kjo javë?
Dinari
Çështja e ndalimit të dinarit po vazhdon të qëndrojë në qendër të diskutimeve publike e politikë në vend dhe jo vetëm.
Gjatë javës që po e lëmë pas, puna e dinarit u diskutua edhe në Bruksel në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Kësisoj, kryenegociatori i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi dhe Qeveria e Kosovës na tha se propozimi i të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, ishte konstruktiv, por që nuk u pranua nuga pala serbe.
“Pas propozimit nga ana e BE-së, përsëri pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel.” – shkruhet në këtë komunikatë.
Ata kanë fajësuar Serbinë për ngecjen në negociata për temën e dinarit.
“Edhe kësaj radhe, pala serbe refuzoi të bashkëpunonte e të vendoste si prioritet interesin e qytetarëve, duke insistuar në licensimin e një entiteti ilegal si “Postanska Banka”” – shkruhet aty.
Qeveria njofton se një takim tjetër do të mbahet pas dy javsh.
Në anën tjetër, Lajçak ka thënë se janë hequr disa dallime mes palëve, por që diskutimet do të vazhdojnë.
“Një tjetër diskutim me dy kryenegociatorët për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së. Ne ia dolëm të mbushim disa boshllëqe midis propozimeve të dy palëve. Kam në plan të vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis” - ka shkruar Lajçak.
Ndërsa, Petar Petkoviq e përsëriti se kjo çështje do të ishte e zgjidhur, sikur të ekzistonte Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Sondazhet
Po ashtu, gjatë kësaj jave pati edhe një debat për punë të sondazheve.
Sipas këtij sondazhi, Lëvizja Vetëvendosje gëzon 49.5 për qind të përkrahjes së qytetarëve.
Në vend të dytë, sipas sondazhit, është renditur PDK-ja me 17.1 për qind.
Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 16 për qind, duke u renditur në vendin e tretë.
Kurse, koalicioni AAK-Nisma kanë marr 6.9 për qind të përkrahjes.
Këto rezultatet nxitën diskutime të shumta mes zyrtarëve të partive në Kosovës, të cilët kërkuan që të shkohet në zgjedhje.
Vizita në veri
Gjatë kësaj jave, veriu i vendit është vizituar nga zyrtarë të lartë qeveritarë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte për vizitë në komunat në veri të vendit.
Kurti nën masa të rrepta sigurie ka vizituar Komunën e Leposaviqit, Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe fshatin Basnjkë të Zveçanit, vendin ku ka ndodhur sulmi më 24 shtator të viti të kaluar.
Ndërkohë, një ditë pas vizitës së kryeministrit Kurti në veri, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë vizituar vilën e Milan Radojiçiqit tek Liqeni i Ujmanit në Zubin Potok.
Këto vizita janë postuar menjëherë në në rrjete sociale dhe janë kritikuar nga opozita, duke thënë se po bëhen vetëm për qëllime elektorale.
Gjatë javës që po e lëmë pas, pati edhe një debat të paparë mes ministrit të Bujqësisë, Faton Peci dhe gazetarit Lirim Mehmetaj lidhur me skandalin e mishit.