Vizita e shefit të CIA-s, eksperti kroat: ShBA ‘e pakënaqur’ me Kurtin, Vuçiqi ka ‘mjete në duar’
Dodiku pësoi shndërrim të thellë, Vuçiqi ka mjete në duar, i.e ‘litiumin dhe armët për Ukrainën’, Kosova ka mbështetjen amerikane ndonëse ShBA “e pakënaqur” me Kurtin.
Në këto tri vështrime eksperti kroat dhe kolumnisti i rregullt në “Al Jazeera Balkans”, Davor Gjenero e përkthen vizitën e Drejtorit të CIA-s dhe anëtarin e kabinetit presidencial amerikan, William Burns.
Ballkani Perëndimor veçse nga Departamenti amerikan i Shtetit është artikuluar si rajon-në-dy-traka: njëra ajo e integruar në NATO dhe aleate e plotë translantike (Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut); tjetra trakë vendet jo-anëtare të NATO-s të përthithura në rivalitete etnike që synojnë eksploatim të sentimenteve nacionalisti dhe përherë potente për përshkallëzime në rrafshe të sigurisë rajonale.
Burns që zbarkoi në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë – vetëm në njërën trakë të rajonit – dhe takoi më liderët e singullarizuar nga ShBA për ‘sfidues’ të stabilitetit rajonal.
“Më së qarti këtu del se episodi më i rëndësishëm i vizitës së shefit të CIA-s (William Burns) ishte ajo në Sarajevë. Dhe, duket që, kjo ishte pjesa që ka prodhuar më së shumti rezultat, do të thoja më së shumti e suksesshme”, tha Davor Gjenero në një prononcim për Nacionalen.
“Pas kësaj, gjuha e Dodikut thellësisht ndërroi pas vizitës së William Burns”.
Krejtësisht ndryshe ngjau në Serbi, ku i tërë aparati shtetëror bashkërisht me maçinerinë e saj të propagandës me tabloidë të panumërt provuan ta heshtin atë vizitë: dhe, kur shkruan, provuan ta paraqesin në konspiracionizma të thellë se gjoja “CIA synon ta rrëzojë Vuçiqin”.
“Në Beograd ishte po ashtu e qartë se strukturat qeveritare por provojnë ta bëjnë këtë vizitë jo aq të dukshme, dhe ta trajtojnë si jo aq të rëndësishme. Por, është e qartë se Vuçiqi ka disa mjete në duart e tij, veçanërisht ato në lidhje me litiumin dhe ato me dërgesat e armëve për Ukrainën”, na tha Davor Gjenero.
“ShBA është duke provuar të mos e rrezikojë Vuçiqin në këtë situatë”, beson Gjenero.
Sa i përket vizitës në Kosovë hesapet del të jenë tjera. Vizita e Burns i paraprinë një mal shqetësimesh amerikane të artikuluara prej ambasadorit amerikane e deri te Departamenti amerikan i Shtetit në lidhje me synimin për hapjen thjesht-ashtu të Urës së Ibrit.
Vetë ShBA i ka dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, raport me shkrim për vlerësimet e “rrezikut të sigurisë së jetëve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it”, që, sipas Jeffrey Hovenier në një intervistë me REL-in, qeveria kosvoare “nuk i ka marrë parasysh këto rreziqe”.
E për rënien në raportet bilaterale mes Kosovës dhe ShBA-së, artikulimi i tyre është bërë thuajse refren i çdo zyrtari amerikan që shqipton emrin e qeverisë kosovare.
“Për Kosovën më së rëndësishmi është që në themel Kosova ka mbështetjen e ShBA-së, dhe që Presidentja e juaj ka shumë më shumë mbështetje amerikane se sa Kryeministri Kurti”, tha Davor Gjenero.
“ShBA s’do të jetë shumë e kënaqur kur Kurti të fitojë zgjedhjet e reja parlamentare; por e qartë është që Kosova është ende nën mbrojtjen amerikane dhe koalicionit euro-atlantik”, përfundoi ai.