Vizita e ndërkombëtarëve, Hoxhaj: Me qasjen e Kurtit s’pres marrëveshje, s’ka guxim e vullnet
Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka komentuar vizitën e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë në Kosovë.
Hoxhaj ka shkruar se, “vizita e përfaqësuesve të lartë të ShBA-së, BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë tregon se partnerët strategjikë të Kosovës duan që dialogu të hyjë në një fazë të re, me një shpejtësi tjetër për të krijuar momentum për marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë!”
Megjithatë, ai më tej ka folur për qëndrimin e kryeministrit Kurti, duke thënë se, “shihet se ai nuk ka qartësi, as vendosmëri dhe as qëllime të qarta sa i takon rezultateve në dialog!”
Qëndrimin politik të Kurtit, Hoxhaj e ka cilësuar si një politikë të blerjes së kohës e cila i bën dëm Kosovës.
“Kjo është politikë e blerjes së kohës dhe kjo është e dëmshme për Kosovën për arsye të matshme. SHBA, Franca, Gjermania, Italia sëbashku me BE-në kanë qenë grupi i shteteve vendimmarrëse për Kosovën dhe lindja e Kosovës si shtet i pavarur nuk do të ndodhte pa përkrahjen e tyre. E, edhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës varet direkt nga ta, sikurse anëtarësimi në organizata evropiane, nga Këshilli i Evropës, NATO-s, BE-së dhe më gjerë”, - ka shkruar ai.
Ndërkohë që ka shkruar për marrëdhënien e vështirë të Kosovës me Serbinë, Hoxhaj ka thënë se Kurti nuk ka guxim, vullnet dhe nuk po bën asnjë veprim për të mbyllur tema të mëdha sikurse marrëveshja për njohje të ndërsjellë me Serbinë.
Ai po ashtu ka thënë se, me qasjen që ka Kurti në dialog nuk pret asnjë marrëveshje mes dy vendeve.
"Ai ka vetëm një diskurs agresiv retorik, gjoja duke u treguar i fortë para partnerëve perëndimorë dhe duke thënë që Serbia nuk do marrëveshje. Kurti s'ka as politikë, as qëllim dhe nuk do të ketë asnjë rezultat!"
