Visar Ymeri shpalos të pathëna, tregon nëse Albin Kurti kishte diçka personale me Hashim Thaçin
Ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka folur për shumëçka në emisionin Intervista e Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
Episodi respektiv u transmetua mbrëmë në Radio Televizionin 21 dhe në kanalin tonë zyrtar në "Youtube" me fillim nga ora 21:30.
Gjithsesi, në pjesën e zgjeruar këtu flitet për raportet që Kurti i kishte me Hashim Thaçin, gjithmonë prej këndvështrimit të Ymerit, pra se si e kishte parë ai këtë përballje politike, që zgjati për goxha vjet.
Veç kësaj, ai tregoi edhe rreth formës se si organizonin politikat brenda VV-së dhe diskutimet për çështjet e caktuara.
“Unë mendoj që e ka edhe personale, po për shkak të bindjeve politike. Albin Kurti e ka pa gjithmonë Hashim Thaçin si njeri që ka ndikim politik dhe natyrisht që po tjetërson konceptin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra idenë për të cilën është luftu. Po e fut brenda ingranazhit të kompromisit, gjë që pastaj e kompromiton atë. Ky ka qenë pak a shumë qysh unë e kam lexuar situatën. Tash unë nuk mundem me thënë që s’e ka pasë hiç personale, sepse ne e patëm shndërruar atë në si me thënë trupëzim të së keqes", tha fillimisht ai.
Në anën tjetër, anëtari i Shoqërisë Civile deklaroi se Thaçi përgjatë periudhës sa mysafiri ishte në VV, kuptohet dhe jo vetëm ka qenë nën thumbin e kritikave për shkak të ndikimit politik.
"Për çdo gjë. Që prej negociatave, deri te privatizimi. E nëse të kujtohet, edhe gjatë procesit negociator në Vjenë, Thaçi ka qenë më i godituri. Edhe pse ka qenë opozitë. Edhe pse ishte opozitë. Edhe pse s’ishte i vetmi aty. Por, ne prapë e konsideronim si njeriun më të fuqishëm të UÇK-së dhe ky po e bën këtë dëmin që nuk do të mund ta bënte dikush tjetër. Sepse diskutimi ka qenë kështu dmth, për me marrëveshjen me Serbinë, duhet me bë dikush që gëzon kredibilitetin e të qenurit patriot".
Kur jemi te krahasimet, Ymeri vlerësoi se situatë të ngjashme kemi edhe tash.
"Situatë të ngjashme e kemi edhe sot. Dhe në këtë drejtim, prandaj Hashim Thaçi ishte më i godituri. Po flas si mendimi kolektiv që kemi pasë për të. Tash personat mund të kenë edhe përshtypjet tjera. Prapë po them, nuk mund të them që s’ka qenë personale. Ka qenë personale me vetëdije, mirëpo jo për personin e Hashim Thaçit. Tash dikush mundet me thënë që Albin Kurti ia ka inatin Hashim Thaçit, nuk e di, mbase edhe mund të jetë ashtu. Po, po flas çka kemi bisedu ne edhe çka kemi thënë në publik".
Ndërkaq, në pjesën e fundit të pjesës së përzgjedhur tregon edhe pse kundërshtohej Marrëveshja e Rambujesë, duke thënë se shkaku ka qenë perspektiva e parimit.
"Tash, kundërshtim i Rambujes është bërë nga një perspektivë parimore. Autonomi brenda Serbisë e kështu me radhë. Vetëvendosje nuk e ka marrë seriozisht për një kohë të gjatë realitetin në terren (këtu plotësoi Buzhalën që pyeti nëse është analizuar ndonjëherë situata në terren)".
Më poshtë edhe pjesa e përfolur, ndërsa më lartë gjeni episodin e plotë.

