Visar Azemi reagon për ankandin për parkun e erës: Vonesat dhe mangësitë në politikën energjetike po na kushtojnë shumë
Kandidati i LDK-së për deputet, Visar Azemi, ka reaguar pas hapjes së ankandin për parkun e erës me kapacitet prej 100 MË.
Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për veprime dhe jo për fjalë, duke përmendur ankandi për energji solare që sipas tij, nuk ka lëvizur asgjë.
“Pse? Sepse Qeveria nuk ka pasur vizion dhe nuk ka reaguar me kohë për të ndihmuar zhvillimin e sektorit të energjisë. Ky proces është tepër i ngadalshëm dhe i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat e ekonomisë sonë.” – ka shkruar ai në Facebook.
Shkrimi i tij:
Kosova ka nevojë për veprime, jo fjalë!
Qeveria e Kosovës nisi ankandin për parkun e erës me kapacitet prej 100 MË, një hap që duhet të kishte ndodhur shumë më herët!
Ky është vetëm një hap i vogël në një rrugë të gjatë, ndërkohë që vonesat dhe mangësitë në politikën energjetike po na kushtojnë shumë.
Është ankandi i dytë pas atij solar, që, për fat të keq, nuk u bë akoma asgjë që nga shpallja e fituesit.
Pse? Sepse Qeveria nuk ka pasur vizion dhe nuk ka reaguar me kohë për të ndihmuar zhvillimin e sektorit të energjisë. Ky proces është tepër i ngadalshëm dhe i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat e ekonomisë sonë.
Kosova ka nevojë për një qeveri që është e guximshme dhe që ka vizionin dhe vullnetin për të ndërtuar shumë më tepër kapacitete të reja energjisë, duke përfshirë edhe ato të burimeve të ripërtëritshme.
Qeveria e ardhshme e LDK-së do të marrë hapa të menjëhershëm në ndërtimin e një infrastrukture energjetike që është e qëndrueshme dhe e arritshme për të gjithë qytetarët.
Vonesat në projektet jetike për Kosovën marrin fund më 9 shkurt.