'Vetëm' Kurti në kërkim të nënshkrimit: ShBA, BE, Serbia dhe njohësit besojnë që s’ka nevojë - NACIONALE

'Vetëm' Kurti në kërkim të nënshkrimit: ShBA, BE, Serbia dhe njohësit besojnë që s’ka nevojë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti nga 18 marsi po e prezanton ankesin e Planit të BE-së si fitore për Kosovën. Sipas tij, të dyja dokumentet janë të mira për Kosovën sepse Serbia nuk po i nënshkruan. Por, duket se megjithëse nuk i nënshkruan ato do të jenë "marrëveshje ligjërisht të obligueshme".

Por, SHBA-ja dhe BE-ja kanë një tjetër version për këtë çështje. Zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së kanë bërë me dije se Plani i BE-së dhe ankesi për zbatimin e tij janë ligjërisht të obligueshme edhe pa u nënshkruar.

Sipas tyre, kështu janë pajtuar edhe të dy palët.

Ndërmjetësuesi i këtij procesi, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka sqaruar këtë situatën.

Çështja që është diskutuar shumë në diskursin publik, ka qenë çështja e nënshkrimit të Marrëveshjes. Këtu dua të them se preferenca jonë, si lehtësues të BE-së, ka qenë që dokumenti të nënshkruhet. Ky ka qenë propozimi ynë për palët. Presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e ka bërë mjaft të qartë se nuk është në pozicion për ta nënshkruar këtë dokument. Ai ka përmendur kufizimet kushtetuese. Ne kemi bërë përsëri disa propozime se si të trajtohet çështja, por ato janë refuzuar.”, është shprehur në një intervistë për Radon Evropa e Lirë.

Sipas tij, në fund palët janë pajtuar dokument të formalizohet përmes njoftimit të Përfaqësuesit të Lartë.

Në fund, kemi rënë dakord që ky dokument të formalizohet përmes njoftimit të Përfaqësuesit të Lartë [Josep Borrell] - gjë që ka ndodhur të shtunën. Kjo është plotësisht në përputhje me praktikën juridike ndërkombëtare. Pra, kjo do të thotë se ky dokument është i detyrueshëm, është zyrtar, është formal. Çdo spekulim se është apo jo i vlefshëm dhe i detyrueshëm, është i pakuptimtë.”, ka vlerësuar Lajçak.

Edhe ambasadori i ShBA-ve në Serbi, Christopher Hill, ka folur sot në lidhje me marrëveshjen që u arrit në Ohër.

Hill ka bërë me dije se marrëveshja ishte ligjërisht e detyrueshme edhe pa nënshkrim, përcjell Danas.

Ambasadori Hill tutje shtoi se ishte bërë e qartë se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ishte “urgjent dhe i rëndësishëm” duke kujtuar se ky obligim ishte pranuar nga Kosova para 10 vitesh.

Unë kam qenë i përfshirë në shumë negociata ku nuk ka pasur asnjë nënshkrim në fund të procesit. E di që ka shumë diskutime për këtë gjë, por nuk mendoj se ka shumë rëndësi. Pyetja e vërtetë është të vazhdohet me zbatimin dhe kjo do të jetë interesante të shihet në javët dhe muajt e ardhshëm,” – u shpreh z. Hill.

Një ditë me parë të njëjtën gjë e ka thënë edhe emisari special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në një diskutim virtual me gazetarë, diplomati amerikan u shpreh se pajtimi i arritur në Ohër është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe se si e tillë është “ligjërisht e obligueshme”.

Ai ka folur edhe për shtetet mos-njohëse të Kosovës në BE.

Ne shpresojmë që të gjitha shtetet e BE-së ta njohin Kosovën në një të ardhme të afërt. Është e rëndësishme për Kosovën, që është pjesë e familjes evropiane, që të njihet nga pjesa tjetër e familjes evropiane. Besoj se një prej gjërave që duhet të ndodhë në rajon është se të gjitha shtetet në Ballkanin Perëndimor duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë raporte paqësore dhe produktive,”, është shprehur ai.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ende mendon se marrëveshja duhet të nënshkruhet.

Zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të fillonte qysh dje, për shkak se edhe plani i zbatimit thotë se ka një afat se kur duhet të fillojë marrëveshja së zbatuari. Edhe marrëveshja bazë edhe plani i zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për neve kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktori ndërkombëtar që ta dënojnë e gjykojnë sjelljen e Serbisë e cila kur mbahen takimet thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë se nuk zbatoj gjë.” ka thënë Kurti të martën para gazetarëve.

Sipas tij, pala serbe tani duhet të lëviz.

Topi është në anën e Serbisë, pse nuk po nënshkruan ajo”, duke shtuar se do të duhej të diskutohej “pse nuk po e nënshkruan Serbia marrëveshjen”, dhe jo diskutimi të bëhet se “kur do të themelohet Asociacioni”.

Edhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë bërë me dije se dokumenti nuk ka nevojë për nënshkrim.

Sipas tyre, të dy dokumentet tani janë të detyrueshme për të dyja palët.

Lajme të ngjashme