Vërshimet në vend, Peci: Asnjë dëm nuk do anashkalohet nga Qeveria e Kosovës
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka vizituar komunën e Skenderajt, Mitrovicës, Zubin Potokut, Klinës dhe Istogut, pas vërshimeve.
Peci ka takuar bujqit, të cilët i ka inkurajuar që t’i dokumentojnë dëmet dhe t’i dorëzojnë pranë Drejtorive për Bujqësi.
“Dëmet nga vërshimet ishin të konsiderueshme. Këtë e pashë nga afër teksa vizitoja Komunën e Mitrovicës, Zubin Potokut, Komunën e Skenderajt, atë të Klinës dhe Komunën e Istogut. Në Mitrovicë e Zubin Potok vizitova bujqit e prekur nga këto vërshime dhe i inkurajova që t'i dokumentojnë ato e t'i dorëzojnë pranë Drejtorive për Bujqësi. Poashtu përpos inspektimit të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore tek bujqit, zhvillova takime me kryetarët; atë të Komunës së Klinës Zenun Elezaj, të Komunës së Skenderajt Fadil Nura dhe të Komunës së Istogut Ilir Ferati; të cilët më njoftuan në detaje për situatën sfiduese me të cilën po përballen komunat respektive.” – ka shkruar Peci në Facebook.
Ai gjithashtu ka thënë se asnjë dëm nuk do të anashkalohet nga Qeveria e Kosovës.
“Bashkëndjeva me qytetarët e prekur nga vërshimet, fatkeqësisht në Mitrovicë, Çabër, Skenderaj, Klinë dhe Istog; si dhe i sigurova ata se asnjë dëm nuk do anashkalohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Nga ky vit, Komisioni i Dëmeve në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do t'i trajtojë të gjitha dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore përfshirë edhe dëmet në sektorin e bujqësisë.” – ka shkruar ai.
