Lajçak fillon një 'mision diplomatik', a ka lidhje me kushtin e supozuar të Kurtit? - NACIONALE

Lajçak fillon një 'mision diplomatik', a ka lidhje me kushtin e supozuar të Kurtit?

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Gazetari i prestigjiozes gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, ditë më parë përmes një cicërime në rrjetin social "Twitter" shkroi rreth një kushti të kryeministrit të Kosovës, që sipas Martens, ua ka paraqitur emisarëve të dialogut.

Ky kusht ka të bëjë me njohjen nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së. Sipas këtyre pretendimeve, Kurti për t'i thënë "PO" të madhe planit evropian dhe marrëveshjes me Serbinë, ka kërkuar që njohja nga Spanja, Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania të jetë e shkruar.

“Në mënyrë që ta pranojë propozimin perëndimor për një zgjidhje, ai kërkon garancinë që pesë shtetet anëtare të BE-së që ende s’e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë një gjë të tillë”, kishte Martens në rrjetin social Twitter.

Megjithatë, kjo vështirë të bëhet realitet dhe shkaku i problemeve të ndryshme që kanë shtetet e lartëcekura.

Gjithsesi, një lëvizje interesante është parë nga emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak.

Ky i fundit ka takuar dy përfaqësues të dy vendeve që ende s'e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, të Spanjës dhe atë të Sllovakisë.

Secilin prej tyre e informoi për zhvillimet e fundit në negociata, gjithmonë më pas duke i falënderuar për mbështetjen.

5

Pesë vende të Bashkimit Evropian edhe më tutje nuk e kanë pranuar Pavarësinë e Kosovës, ani pse kjo e fundit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është vulosur si veprim që nuk theu normat juridike ndërkombëtare dhe si e tillë mbetet e pakthyeshme.

Por, për shkak të situatës së brendshme, asnjëra prej tyre nuk ka shënuar shumë lëvizje para, hiç këtu Greqinë, që shenja kishte dhënë, por hapa s'kishte ndërmarrë.

Këto vende, vazhdimisht e kanë ripotencuar faktin që fundi i dialogut Kosovë - Serbi dhe një marrëveshje finale do të ishte ogur që të vendosin përfundimisht për njohje.

Vet fakti që euro-amerikanët nuk mund të garantojnë për këtë kusht, nëse është edhe kërkesë zyrtare, flet mjaftueshëm për situatën brenda institucionit më të lartë politik në kontinentin e vjetër.

Ç'tha Lajçaku?

Pas takimit të së premtes me kryeministrin Kurti, diplomati sllovak tha se takimi me Kurtin ishte i vështirë, por i sinqertë.

Sipas tij, diskutimi i fokusua rreth propozimit për normalizimin e marrëdhënieve, që u propozua në shtator e pastaj në dhjetor, e që njihet si plani franko-gjerman.

“Të gjithë këto fuqi janë vendosur prapa kësaj inciative. Dhe natyrsht, qëllimi i këtij takimi me kryeminsitrin Albin Kurti ishte diskutimi i propozimit për normalizimin e marrëdhënieve që e kemi prezantuar në shtator e pastaj në dhjetor. Ne shpenzuam më shumë se dy orë me kryeministrin, që tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe shumë i hapur. Është shumë herët të thuhet ndonjë deklaratë dramatike” – tha ndër të tjera Lajçak pas takimit.

Tutje, Lajçak duket të jetë ndarë jo aq mirë nga takimi me kryeministrin e Republikës së Kosovës pasi tha se ka pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë e ofruara nga propozimi franko-gjerman, që tash është edhe propozim i Brukselit.

Në një fjali, Lajçak lë të nënkuptohet se po e kritikon kryeministrit kosovar, pasi deklaron se ka pritur më shumë mirëkuptim.

“Jemi në mes të misionit tonë, ne do të vazhdojmë për në Beograd. S’ka shumë çka mund të them. Sidoqoftë, çka mund të them në këtë pikë është që ne kemi pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë e ofruara nga ky propozim. Shpresoj që do të arrijmë aty te mirëkuptimi i plotë dhe shfrytëzimi i plotë i mundësive të këtij propozimi. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë.” – vlerësoi ai.

Lajme të ngjashme