“Avokat i Serbisë”, “Ky e ka nda pazarin”: Zyrtarët e VV-së i “gjuhen” sërish Lajçakut - NACIONALE

“Avokat i Serbisë”, “Ky e ka nda pazarin”: Zyrtarët e VV-së i “gjuhen” sërish Lajçakut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

“Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike”. Ka mjaftuar kjo fjali e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës në Prishtinë, që të ndizen zyrtarët e lartë të VV-së ndaj ndërmjetësuesit të dialogut.

Ata nuk kanë kursyes as fyerjet për diplomatin slloven, duke thënë se po bën avokati e Serbisë në proces.

Sadri Ramabaj dhe Avni Zogiani kanë kërkuar nga BE-ja që të ndërmarr masa për shkarkimin e Laçakut nga pozita e ndërmjetësit.

Sipas tyre, ai nuk mund të jetë neutral në procesin e Brukselit, i cili po shkon drejt fazës finale.

Më i ashpri në reagim ka qenë aktivisti i VV-së, Sadri Ramabaja. Ai ndërmjetësuesin e BE-së e ka quajtur avokat të Serbisë.

“‘...Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike sepse jemi në mes të misionit dhe do vazhdojmë në Beograd.’ Koment: Kjo deklaratë skandaloze është më shumë produkt i ndërdijes së një avokati të Serbisë, se sa i vetëdijes së një përfaqësuesi diplomatik të BE-së!”, ka shkruar Ramabaja në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka kërkuar nga BE-ja që t`i nis hetimet ndaj zyrtarit të saj.

“Pas kësaj deklarate, më në fund, Parlamenti i BE-së duhet të inicojë procesin e largimit të tij, krahas kërkesës për fillimin e hetimve, ngjashëm siç ka vepruar ndërkohë me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi, pasi kishte konstatuar se ai po favorizonte Serbinë gjatë negociatave të zgjerimit të bllokut. Miroslav Lajçak krahas Aleksandar Vuçiqit vazhdon të jetë tepër i interesuar që plani franko-gjerman të shpallet, që pa filluar dialogu i mirëfilltë rreth tij, si projekt i dështuar. Kjo strategji është në shërbim të Serbisë”, ka shkruar Ramabaja.

Kritika të njëjta ka pasur edhe aktivisti tjetër i partisë në pushtet, Avni Zogiani.

Sipas tij, diplomati evropian nuk e meriton postin që ka.

“Miroslav Lajçak nuk është ndërmjetesues dhe s'duhet të quhet kështu! Ky po e bën arbitrin. Vjen në Prishtinë kërkon asociacion, shkon në Beograd flet për asociacion e nuk e kërkon pranimin e Kosovës nga Serbia. Ky e ka nda pazarin, e në këtë pazar nuk i shef interesat e Kosovës fare!”, ka shkruar Zogiani në profilin e tij në “Facebook”.

Për qasjen e Lajçakut në procesin e dialogut Zogiani ka fajësuar edhe ish-udhëheqesit e Kosovës.

“Nuk i ka krejt fajet ky, sepse këto raporte në dialog i kanë pranuar liderët e mëhershëm të Kosovës. Mirëpo, a quhet ky dialog, negociata, përpjekje për normalizim, kur vete ndërmjetësuesi kërkon veç nga njëra pale?!”, ka shkruar ai.

Përshtypjet e Lajcakut në Prishtinë dhe Beograd

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbia, Lacak Lajçak, pas vizitës që ka pasur në Prishtinë se bashku me emisarët tjerë perëndimor, ka folur për takimin me kryeministrin Albin Kurti.

Ai ka bërë me dije se gjatë takimit dy orësh ka pritur që të kuptohet më mirë me kryeministrin e Kosovës.

"Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se, megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë", ka thënë Lajçak.

Ai ka folur edhe për planin franko-gjerman.

“Të gjithë këto fuqi janë vendosur prapa kësaj inciative. Dhe natyrsht, qëllimi i këtij takimi me kryeminstrin Albin Kurti ishte diskutimi i propozimit për normalizimin e marrëdhënieve që e kemi prezantuar në shtator e pastaj në dhjetor. Ne shpenzuam më shumë se dy orë me kryeministrin, që tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë dhe shumë i hapur. Është shumë herët të thuhet ndonjë deklaratë dramatike”, është shprehur Lajçak.

Kurse, pas takimit me presidentin e Serbië Aleksander, emisari i BE-së kishte tjetër përshtypje.

Para gazetarëve, ai ka thënë se takimi në Beograd kishte qenë intensiv, i vështirë dhe i hapur.

"Për ne, zbatimi në kohë i Asociacionin e komunave me shumicë serbe është element kyç për stabilitet dhe jemi të bindur se plani që kemi paraqitur në shtator, dhe që diskutuam sot, është mënyra më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për integrimin e rajonit”, ka thënë Lajçak.

Emisari i BE-së në vizitat që ka pasur dje në Prishtinë dhe Beograd ka qenë i shoqëruar nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe këshilltari i Qeverisë italiane, Francesco Talo.

Vizitat e shumta të diplomatëve perëndimor në Kosovë dhe Serbi janë parë si përpjekje për të intensifikuar arritjen e marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme