“Vërshimet në Kosovë”: Disa qytetarë nervozohen pasi Kusari-Lila foli rreth një fondi për ndihmë në Turqi
Rreth një mijë persona kanë mbetur të vdekur, si pasojë e një tërmeti që goditi mëngjesin e së hënës Turqinë dhe Sirinë, kjo sipas të dhënave që dihen deri më tani. Qeverisë së Kosovës, pritet që t’i propozohet që të ndaj fonde si ndihmë, por kjo duket se ka nervozuar disa qytetarë. Çka thanë ata?
Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, Kusari-Lila, ka dhënë detaje pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Në të njejtën kohë, me iniciativën e kryetarit të grupit të miqësisë, Kosovë - Turqi, deputetit Enis KERVAN Kryesia e Kuvendit do t’i drejtohet Qeverisë me kërkesën për të ndarë fonde dhe për t’ofruar ndihmë njerëzore në mbështetje të përballjes së tragjedisë në Turqi.” – ka thënë ajo.
Nervozohen disa qytetarë
Në lajmin e shpërndarë nga Gazeta Nacionale në lidhje me këtë ֛çështje, disa komentues duket se nuk e kanë mirëpritur paralajmërimin për një kërkesë të tillë.
“Po se për popull tan e ke bo namin në Mitrovicë.” – ka shkruar një qytetarë.

Një tjetër, po ashtu ka pyetur se a është ndarë ndonjë shumë për vërshimet.

Tjerët, kanë përmendur Skenderajin e Mitrovicën, zona këto të prekura mjaft shumë nga vërshimet gjatë javëve të fundit.

“Veç mos harroni dyfishin e asaj shume që e keni nda për Mitrovicë, Skenderaj e Istog pas vërshimeve.” – ka thënë një person tjetër, si duket me ironi.

S’ka të dhëna për dëmet e vërshimeve në Kosovë
Pikërisht sot, nëpër media u publikua një deklaratë e ministrit Hekuran Murati, i cili duket se nuk ka të dhëna për dëmet e shkaktuara si pasojë e vërshimeve.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm, janë ministritë përkatëse, qoftë MAPL që mbikëqyrur pushtetin lokal, qoftë Ministria e Bujqësisë për dëmet në bujqësi. Jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe sapo të kemi edhe shifra dhe vlerësimet nga komisionet përkatëse, normalisht që si qeveri pastaj do të shohim se cilat janë mundësitë për t’i mbështetur të gjitha këto komuna.” – citohet të ketë thënë ai.
Vlen të theksohet, se si pasojë e vërshimeve në Kosovë, komuna e Skenderajt kishte thënë se janë shkaktuar miliona euro dëme.
“Dëmet vetëm në infrastrukturë janë disa milionëshe. Tri ura në fshatin Llaushë, të dëmtuara rëndë, janë tërësisht jashtë funksionit. Ekipet me mjete të rënda janë duke u munduar të krijojnë alternativa për qarkullimin e qytetarëve.” – kishte thënë kryetari Fadil Nura.
Nacionale ka raportuar nga Skenderaj për situatat me të cilat janë përballur qytetarët atje, pas vërshimeve.
Kryeministri Kurti e presidentja Osmani ndërkaq, ishin kritikuar për shkak të vizitave “të vonuara” në Skenderaj.
