“Veprim i njëanshëm”: Konjufca thotë se Rama s’duhej ta propozonte draft statutin pa folur me Kurtin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca raportohet se e ka konsideruar si gabim draftin e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Konjufca nga Prizreni, sipas Ekonomia Online, ka deklaruar se veprime të tilla nuk duhej bërë pa u biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës.
“Jo nuk kemi interes, sepse mendoj që kjo është çështje e institucioneve të Kosovës. Kryeministri shqiptar tha se është sekret, por nënkryetari jonë tha se e ka parë. Shumë drafte kanë qarkulluar deri tash por asnjëri nuk ka pasë efekt në Kosovë. Nuk besoj se nuk mund të paragjykoj për përmbajtjen. Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes. Një defekt është në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ulur me kryeministrin e Kosovës edhe pa i sqaruar të gjitha këto probleme së bashku. Ata takohen shpesh mendoj por ky ishte një veprim i anshëm.” – ka thënë ai.
Ndryshe, Rama në një intervistë për Nacionalen, të premten tha se ky është kontribut i Shqipërisë si shtet tjetër.
“Jo. Unë dua të jem shumë fer dhe në raport me partnerët. Kjo nuk është një konspiracion i shqiptarëve që ne po e bëjmë bashkë dhe pastaj unë do e çoj. Ky është një kontributi i Shqipërisë si shtet tjetër. Ne jemi vëllezër, por kemi dy shtete të ndryshme. Shqipëria ka shtetin e vet, Kosova ka shtetit e vet.” – tha ai.
Ndryshem sipas kryeministrit Edi Rama, draft statuti i cili ende nuk është publik dhe nuk dihet se çfarë përmban, është punuar nga “ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë”.
“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociaoinit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charls Michel dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspert të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh. Gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë.” – tha ai të enjten, derisa dha lajmin në lidhje me këtë çështje.