Vendimi i Kushtetueses, Krasniqi: Është konfirmim i plotë se veprimet arbitrare të VV-së ishin antikushtetuese - NACIONALE

Vendimi i Kushtetueses, Krasniqi: Është konfirmim i plotë se veprimet arbitrare të VV-së ishin antikushtetuese

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë me dije se Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar ato që i ka thënë parti e tij prej muajsh.

Ai ka vlerësuar se aktgjykimi i Kushtetueses është konfirmim i plotë se veprimet arbitrare të VV-së ishin antikushtetuese.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se partia e Kurtit në mënyrë të qëllimshme e ka bllokuar Kuvendin.

“Sot, Gjykata Kushtetuese vulosi të vërtetën që për muaj me radhë e kemi thënë me zë të lartë, si Parti Demokratike e Kosovës: Lëvizja Vetëvendosje e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë kushtetutës. Me Aktgjykimin e 7 gushtit 2025, Gjykata shpalli të pavlefshme të gjitha veprimet parlamentare arbitrare nga 27 qershori deri më 26 korrik; konstatoi se deputetët nuk kanë zbatuar vendimin kushtetues të 26 qershorit; se veprimet e Kryesuesit të seancës ishin antikushtetuese; dhe se Komisioni për Votim të Fshehtë ishte i jashtëligjshëm”, ka shkruar ai, duke shtuar se faji për bllokadën ishte i VV-se.

“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë. Për gjashtë muaj, qytetarëve iu mohua përfaqësimi, institucioneve iu ndal funksioni, e vendit iu imponua stagnimi. Përballë kësaj sjelljeje, ne zgjodhëm rrugën e maturisë, ligjshmërisë dhe besimit në Kushtetutë. Si Grup Parlamentar i PDK-së, e ndërmorëm këtë nismë me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues. Me besim të palëkundur në të drejtën dhe në Kushtetutën e vendit, iu drejtuam Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë fund kësaj krize të qëllimshme dhe të rrezikshme për demokracinë”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të ngjashme