Vendimi është fuqizuar: Pse Qeveria s`po e zbaton vendimin për hapjen e urës mbi lumin Ibër? - NACIONALE

Vendimi është fuqizuar: Pse Qeveria s`po e zbaton vendimin për hapjen e urës mbi lumin Ibër?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanë kaluar tri javë që Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka kërkuar hapjen e urës mbi lumin Ibër, por Qeveria e Kosovës nuk kanë ndërmarr asnjë veprim në këtë drejtim.

Legjislacioni në fuqi tregon se vendimi i Kuvendit Komunal është dashur të shqyrtohet nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal brenda 15 dite.

Nëse brenda kësaj periudhe kohore vendimi i komunës nuk është shqyrtuar, atëherë ai hyn në fuqi në mënyrë automatike.

Neni 8 i Rregullores (QRK) nr. 10/2019 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave e sqaron në mënyrë të qartë këtë çështje.

Sipas kësaj rregullore, ky vendim tashmë duhet të zbatohet nga Qeveria e Kosovës.

Në rast se organi mbikëqyrës nuk ia kthen shqyrtimin e ligjshmërisë aktit të komunës brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit përveç në rastet kur organi mbikëqyrës ka kërkuar nga komuna dokumente ose informacion shtesë akti i komunës konsiderohet i ligjshëm”, thuhet në nenin 8 të rregullores.

Vendimi i Kuvendit Komunal është marrë më 28 prill dhe qeveria nuk e ka zbatuar këtë vendim.

Edhe drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë për gazetën Nacionale se nëse vendimi nuk është kotentestuar brenda afatit ligjor.

Nëse MAPL nuk ka kthyer përgjigje te komuna brenda 15 ditëve, atëherë me automatizëm vendimi hyn në fuqi”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka bërë me dije se kuvendet komunave kanë të drejtë të marrin vendime që janë në interes të qytetarëve.

Sipas tij, në vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës nuk ka diçka që mund të kontestohet nga MAPL.

Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, Kuvendet Komunale kanë të drejtë të marrin vendime të cilat i prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e qytetarëve. Dhe nuk shoh diçka që MAPL mund ta kontestoj. Besoj që është në interes të qytetarëve zbatohet”, ka thënë ai.

Ligji për Vetëqeverisjen Lokale përcakton në mënyrë të qartë kompetencat e komunave.

Neni 17 i këtij ligji specifikon fushat ku komunat kanë autonomi për të marrë vendime.

Komunat kanë kompetenca të plota dhe eksluzive, për sa i përket interesit lokal, duke i respektuar standardet e përcaktuar në legjislacionin e zbatueshëm, në fushat që vijojnë: a) zhvillimin lokal ekonomik; b) planifikimin urban dhe rural; c) shfrytëzimin e tokës dhe zhvillimin; d) zbatimin e rregulloreve të ndërtimit dhe standardeve për kontrollimin e ndërtimit; e) mbrojtjen e mjedisit lokal; f) ofrimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve publike dhe shërbimeve komunale, përfshirë furnizimin me ujë, kanalizimin dhe drenazhin, trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimin e mbeturinave”, thuhet ndër të tjera në këtë nen.

Heshtja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës deri me tani ka heshtur rreth kësaj çështje. Ndonëse, iniciativa për hapjen e kësa ure ka ardhur nga partia në pushtet, Qeveria Kurti po heziton zbatimin e këtij vendimi. Zyrtarët qeveritar kanë hezituar të flasin në mënyrë konkret për këtë cështje kur janë pyetur nga gazetarët.

Duket se as Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, nuk është në dijeni për afatet ligjore brenda të cilave duhet të shqyrtohet vendim.

Të premten, pas përfundimit të seancës solemne të betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, Krasniqi ka thënë se janë duke e shqyrtuar vendimin.

Ai ka vlerësuar vendi është në tryezën e MAPL-së, dhe më pas do të procedohet.

Porsa të përfundojë ky vlerësim, ajo do të jetë në tryezën time dhe mëpastaj unë do të vazhdojë me procedimin e tij”, është shprehur ai.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti kur ishte pyetur për këtë temë kishte refuzuar të përgjigjet.

BE-ja ka kërkuar dialog për hapjen e urës

Pas vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Mitrovicës së Veriut rreth hapjes se urës edhe për qarkullim të automjeteve, ka pasur shumë reagime.

Bashkimi Evropian ka bërë me dije se kjo hapje mund të bëhet vetëm me pajtime e të dy palëve në bisedimet në Bruksel.

Gjatë vizitës së fundit në Kosovës, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kaluar edhe mbi këtë urë.

Më këtë rast, ai ka dhënë qëndrimin e tij për këtë çështje.

Ura e Mitrovicës ka qenë pjesë e dialogut, prandaj unë mendon që vendimi për hapjen duhet të merret në dialog. Gjithçka është në dorën e dy palëve. Unë dua që hapja e urës të jetë kontribut për stabilitet”, ka thënë Lajçak.

Diplomati evropian ka thënë se të dy palët duhet të pajtohem për hapjen e kësaj ure.

“Unë jam përkrahës i fortë i vendimeve të pajtuara, zgjidhjeve që janë pajtuar. Besoj në gjithçka që përfshinë të dy palët, duhet të merret vesh të dy palët”, ka thënë ai.

Vendimin e Kuvendit Komunal për hapjen e kësaj ure e kishte kundërshtuar Lista Serbe dhe institucionet e Serbisë. Sipas tyre, një gjë e tillë ishte e paligjshme.

Me propozimin e asamblistes së VV-së, Aida Ferati-Dolit, më 28 prill, Kuvendi Komunal i Komunës së Mitrovicës së Veriut e kishte votuar për hapjen edhe urës së Ibrit edhe për qarkullim të veturave.

Kjo nuk është hera e parë që kërkohet hapja e kësaj ure. Vite më parë, ish kryetari i Mitrovicës se Jugut, Agim Bahtiri, kishte kërkuar edhe bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

Lajme të ngjashme