“Policia e Serbisë dhe BIA, ndaluan 2 policë të Kosovës”, Presidenca akuzon Serbinë për veprime ilegale - NACIONALE

“Policia e Serbisë dhe BIA, ndaluan 2 policë të Kosovës”, Presidenca akuzon Serbinë për veprime ilegale

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka reaguar ndaj shtetit serb pas ndaljes dhe intervistimit të dy policëve kosovarë, të cilët po kalonin transit nëpër Serbi.

Me anë të një postimi në Twitter, Vela këtë veprim e ka konsideruar dëshmi të veprimeve ilegale të Serbisë për ta penguar lirinë e lëvizjes.

“Në javën e kaluar, Policia e Serbia dhe BIA, ndaluan dhe intervistuan 2 policë të Kosovës në kufi, të cilët po kalonin transit. Kjo është dëshmi e veprimeve ilegale të Serbisë për ta penguar lirinë e lëvizjes. Në vend që të bashkojë forcat me Kosovën për të luftuar krimin ndër-kufitar, Serbia bën të kundërtën”, ka shkruar Vela.

Çfarë ndodhi?

Radio Evropa e Lirë dje ka raportuar se ditëve të fundit janë arrestuar Dragan Nikoliq, dhe dy serbë tjerë nga veriu i Kosovës me iniciale D.T. dhe S.P.

Ivana Nikoliq për REL thotë se arrestimi i bashkëshortit të saj është “kulmi i padrejtësisë” që iu bë, pasi që shtëpia e tyre u dogj shtatorin e kaluar “për shkak se e kishin riregjistruar veturën me targa RKS (Republika e Kosovës)”.

Tutje, zonja Nikoliq për REL tha se është anuluar kompensimi monetar i bashkëshortit të saj, të cilin Beogradi ua jep të gjithë atyre që janë larguar nga institucionet e Kosovës.

“Nuk e di cili është qëllimi. A është qëllimi për ta dëbuar familjen tonë nga territori i Kosovës? Ky (arrestimi) është një akt i tmerrshëm”, tha ajo për REL-in.

“Shpresoj që autoritetet tona (në Serbi) ta shohin dhe ta dëgjojnë këtë, të na lënë të jetojmë të qetë sepse ne nuk po e prekim askënd, nuk po e dëmtojmë askënd”, tha ajo tutje.

“Do të vazhdoj të luftoj për mbijetesën e familjes sime... Mendoj se së bashku me avokatin tonë do të dalim nga e gjithë kjo si fitues, me një fitore të madhe”, thotë zonja Nikoliq.

Edhe Rada Trajkoviq, këshilltare e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, disa herë kishte shkruar se vajza e saj është ndaluar në Aeroportin e Beogradit nga policia kufitare serbe.

Një muaj më parë, përmes një postimi në Tëitter, Trajkoviq kishte shkruar se nuk i besohet që sërish e bija e saj është ndaluar nga policia në aeroport.

“Nuk më besohet se po e shkruaj këtë, por jam ndaluar sërish nga policia kufitare në Aeroportin e Beogradit. Ata duket se mendojnë se publiku do të lodhet me postimet e mia, dhe se bashkësia ndërkombëtare do ta pranojë keqtrajtimin tim si fakt. Ndërsa ‘ata të tyre” që janë nën sanksionet e SHBA-ve po lëvizin të lirë…” - ka shkruar Trajkoviq.

Për presionin ndaj serbëve të Kosovës nën direktivat e Serbisë kishte folur, ditë me parë, edhe emisari special i ShBA-së, Gabriel Escobar.

Escobar kishte kërkuar nga serbët t’a ndalin presionin dhe dhunën ndaj komunitetit serb të Kosovës.

“Djegia e automjeteve, pasurisë së paluajtshme dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët, kështu që mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”, kishte thënë Escobar në një intervistë për asgjensine serbe të lajmeve, “Tanjug”.

Lajme të ngjashme