Pa informata: Qysh udhëtoi Kurti në Bruksel për ta parë statutin e Asociacionit? - NACIONALE

Pa informata: Qysh udhëtoi Kurti në Bruksel për ta parë statutin e Asociacionit?

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës dhe politikani që dikur ishte kurioz ta dinte si dukej presioni ndërkombëtar, dhe i cili si opozitar e kunërshtonte ashpër Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka udhëtuar në drejtim të Brukselit, për ta parë se se çfarë draft-statuti të Asociacionit do t’i prezentohet. Një situatë shumë e sikletshme për politikanin që kishte promovuar gjithë karrieren e tij politike të drejtën e vetëvendojes. Çfarë ndodhi?

Shefi i ekzekutivit Kosovar, një ditë para takimit të 2 majit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, është ankuar që nuk e ka parë ende draftin e Asociacionit dhe se po pret i lumtur për të parë se çfarë drafti kanë përgatitur.

"Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shohë se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë nëse do të ma paraqitnin fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që ajo që është rënë dakord tashmë më shkurt 27 në Bruksel është përmbushur ekzistimi i një niveli të duhur të vetëmenaxhimit të komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve.” – ka thënë kryeministri Kurti për agjencinë kroate të lajmeve “Hina”.

Draft-statuti i Asociacionit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri është deklaruar rreth takimit të 2 majit që pritet të mbahen në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Me anë të një postimi në Facebook, Haziri ka thënë Kurtit do t’i paraqitet draft-statuti i Asociacionit pa e takuar grupin punues të Kosovës.

“Madje për Asociacionin, kryeministrit Kurti do t’i paraqitet draft-statuti i këtij mekanizmi pa e takuar grupin punues të Kosovës, pa e ditur përbërjen sipas tyre të këtij grupi punues dhe pa e ditur se çka kanë punuar, dhe në çfarë niveli ka mbërri niveli i këtij draft-statuti. Me marrëveshjen e Ohrit, Kurti u mundua ta kamuflojë si ndryshim i marrëveshjes 2013-2015.” – ka shkruar ai tutje.

Në fund Haziri ka thënë se me ndërmjetësin ndërkombëtar ka bërë marrëveshje, para deputetëve zbulon ‘tradhtarë’ e ndërsa para popullit nuk ka bërë asgjë.

“Gjysma e Qeverisë aktuale thotë nuk ka Asociacion, gjysma tjetër thotë ka. Me ndërmjetësin ndërkombëtar ka bërë marrëveshje, para deputetëve zbulon ‘tradhtarët’ e para popullit nuk ka bërë asgjë!”

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka folur për takimin e 2 majit ndërmjet kryeministrit Kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq si dhe për draft-statutin që pritet të prezantohet në këtë takim.

Sipas Tahirit, modeli i këtij Asociacioni që nesër do të negociohet në Bruksel, do të ndikojë në stablitetin e Kosovës.

Tahiri ka folur edhe për efektin domino që do ta ketë Asociacioni në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Maqedoninë e Veriut.

“Modeli i statutit te asociacionit te cilin Kurti neser do ta negocioj me Vuciqin ne Bruksel do te ndikoj ne funksionalitetin e shtetit te Kosoves dhe ne fatin e kufijve ne Ballkan sepse do te frymezoj gjitha pakicat ne Ballkan edhe me shume shqiptaret ne Maqedonine veriore sepse nuk jane pakice atje por jane gjysma e popullates...” – ka shkruar Tahiri në Facebook.

Presioni ndërkombëtar

Ish-këshilltari i kryeministrit Kurti, Durim Berisha, thotë se kreu i qeverisë së Kosovës iu ka nënshtuar presionit ndërkombetar.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Durimi tha se nuk ka asgjë rreth asociacionit që një politikan kosovar do të mund t’i gëzohej.

“Që nga dakordimi ne Ohër po shihet se Kryeministri Kurti i është nënshtruar presionit ndërkombëtar, me theks atij të emisarit amerikan Escobar, sepse në të vërtetë nuk ka asgjë rreth asociacionit për të cilin një përfaqësues i Kosovës do te kishte arsye për të qenë i lumtur. Është më së shqetësuese se po shkruhen dokumente ligjore për Kosovën, jashtë Kosovës”, tha Berisha.

Tutje, ai tha se Kurti nuk do të bëjë asgjë për ta mbrojtur republikën, e që do t’ia rrezikonte atij pushtetin.

“Pra fuqia për të ndikuar në këtë proces i cili ka rëndësi qenësore për ekzistencën e kësaj Republikë të Kosovës që njohim, është pothuajse zero. Kryeministri do të ketë mundësinë të prolongojë çkado në dialog, por u dëshmua se nuk e ka guximin dhe vullnetin për të sakrifikuar pushtetin e për të mbrojtur republikën”, tha ai.

Lajme të ngjashme