Takimi i 2 majit: Lajçaku çuditshëm i shmangej shpjegimit se ku dallon “vetëmenaxhimi” prej “vetëqeverisjes”
Neni 7 i Marrëveshjes së Ohrit parasheh dhënien e “një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetit serb të Kosovës”. Dhe kjo përmes Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, Draft-Statuti fillestar i të cilit shpaloset për herë të parë nesër në Bruksel nga Ekipi Menaxhues. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të jetë “i lumtur” të shohë se çfarë është përgatitur, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi “të mos më luajnë përralla rreth përputhshmërisë me Kushtetutën e Kosovës”.
Duke folur për agjencionin kroat të lajmeve “Hina”, kryeministri kosovar u shpreh se sa i përket obligimit të ndërmarrë në Bruksel dhe Ohër ajo do të përmbushet, “ekzistenca e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve”.
Megjithatë, vetëmenaxhimi në serbisht përkthehet në vetëqeverisje. Saktësisht për këtë ishte pyetur ndërmjetësi sllovak, Miroslav Lajçak. Ai, i ishte shmangur shënimit të një dallimi. Si?
“A shihni ndonjë kufizim në fjalën ‘vetëmenaxhim’ në krahasim me ‘vetëqeverisje’, në gjuhën angleze? Në terminologji?”, e kishte pyetuar gazetarja e medias serbe “KoSSeV” ndërmjetësin. Por, përgjigja e tij, mungonte.
“Shikoni, ajo çfarë është me rëndësi këtu është ajo që është pajtuar në kornizën e marrëveshjes të dialogut do të zbatohet. Kjo është puna e parë. E dyta, ne do të gjejmë një model të zbatueshëm që arrin standardet e një modeli evropian...të ndërtuar mbi norma dhe vlera evropiane”, ishte përgjigjur Lajçaku.
Megjithatë, një dallim nuk e shënjoi.
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, për Radion Evropa e Lirë sqaronte se në praktikën e mbrojtjes së pakicave dhe në praktikën e së drejtës publike ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për pakica dhe komunitete lokale, ekziston termi “vetëmenaxhim” (në anglisht: self-management) dhe “vetadministrim” (në anglisht: self-administration). Sipas tij, në esencë, në gjuhën serbe këto përkthehen si “vetëqeverisje”.
Asociacioni/Zajednica mbizotëron në kërkesat e ndërkombëtarëve
Pak kush e kishte të qartë se çfarë do të thoshte “vetëmenaxhimi”, ndërsa eksponentë të pushtetit e paraqisnin si një term të zbutur dhe se si Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia kishte dalur ta shmangte “Zajednicën”. Madje Kurti këtë e paraqiste si krejt tjetër gjë nga çfarë kishte qenë në tryezë më parë. “Nuk është vetëqeverisje e serbëve por është vetë-menaxhim”, shprehej ai ndonëse asnjëherë nuk tregonte se çfarë në thelb është ky koncept jugosllav.
Megjithatë, ky term, del të jetë veçse për konsum të brendshëm si një eufemizëm më lehtë i gëlltitshëm në servimin e saj në publik. Termi “vetëmenaxhim” as që përdoret madje nga ndërkombëtarët e as ndërmjetësit kyç: Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Tashmë është veçse afër takimi i parë i Nivelit të Lartë pas Marrëveshjes së Ohrit dhe ndërkombëtarët (e madje edhe Këshilli i Sigurimit në tërësi) kanë një kërkesë të vetme: Themelojeni Asociacionin e Komunave [versioni shqip: të banuara me shumicë] Serbe.
Po të lexohen kërkesat amerikane, Asociacioni është në rend të parë. Ambasada amerikane në Prishtinë, ambasada amerikane në Beograd dhe Departamenti amerikan i Shtetit kryefjalë në çdo komunikatë e njoftim e kanë themelimin e Asociacionit. Ambasada në Kosovë i referohet si “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe (ASMM) ose në serbisht si Asocijaciji/Zajednici srpskom stanovistom na Kosovu (A/ZSO)”; Ambasada në Serbi si “Asociacioni i Komunave Serbe (ASM) ose në serbisht Zajednica Sprskih Obstina (ZSO)”; Ndërkaq Departamenti amerikan i Shtetit si “Asociacioni i Komunave Serbe (ASM)”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kaherë është shprehur se “nuk ka Komuna Serbe” në Kosovë por ka “Komuna me shumicë Serbe”. Një frazim i tillë ka gjetur kaherë kundërshtimin e tij. Megjithatë, siç lexohet nga gjuha e përdorur amerikane, ata i referohen si “Asociacion të Komunave Serbe”. Për më tepër, “vetëmenaxhimi” aq i trumbetuar nga Lëvizja Vetëvendosje si një gjë shumë më e butë dhe e një natyre më të lehtë e ushtrimit të të drejtave të pakicave, as që gjendet në fjalorin amerikan.
Gjithashtu, edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, Asociacionin e ka në në rend të parë të çdo thirrje të tij. Rohde i referohet si Asociacion i Komunave me shumicë serbe. Madje, ai edhe e bëri të qartë në një cicërimë në Twitter se vendimi përfundmtar për liberalizimin e vizave për kosovarët si dhe vendimi fillestar për kalimin në një fazë tjetër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kanë qenë krykëput të ndërlidhura me çështjen e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën veçon një gjë. “Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe është kyçe për të vazhduar para”, shkroi a ditë më parë.
Ndërkaq vetëm ditën e kaluar, Këshilltari i Lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, bisedoi me presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me, siç tha ai, “nevojën urgjente për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe” ndërsa një telefonat të tilë nuk e pati edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ditë më parë Nacionalja raportoi përmes burimeve të saj se në takimin e 2 majit ndërron hesapi sa i përket draftimit të Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Baskuara “do të qesin jashtë loje” Kurtin dhe Vuçiqit sa i përket një modeli për këtë Asociacion. Kjo për shkak të mosmarrëveshjes se si duhet të jetë një llojë aranzhimi i këtyre komunave.
“Kurtit i janë dhënë 16 modele të autonomisë që ekzistojnë në praktikë në BE. Ai kishte afat deri më 18 mars për të zgjedhur njërin nga modelet. Ai nuk e zgjodhi asnjërin. Tash, BE-ja dhe ShBA-do të zgjedhin se cilin model ata e shohin si të duhurin dhe do ta rishkruajnë për Asociacionin...” – na ka thënë burimi. Nuk do të lejohen lojëra tjera mes Beogradit dhe Prishtinës sa i përket statutit të Asociacionit, ishte i bindur ai.
Neni i 7 Marrëveshjes Bazë flet për sigurimin “e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb të Kosovës”. Megjithatë, ky vetëmenaxhim del të jetë veçse për konsum të brendshëm./Nacionale/


