“Veç një Email ka me çu”: Çfarë pune ia kreu Enver Dugolli deputetit Arbër Rexhaj? Këto janë mesazhet në WhatsApp
Seancat e Kuvendit të Kosovës, më shumë se për diskutime për pikat e rendit të ditës, po dalin të jenë të shfrytëzueshme edhe për komunikime të tjera ndërmjet deputetëve.
Një rast i tillë ka ndodhur në seancën e së enjtes.
Nacionale ka kapur disa komunikime të tjera ndërmjet deputetëve të VV-së, Arbër Rexhaj dhe Enver Dugolli përgjatë seancës plenare.
Nuk dihet se për çfarë saktësisht është fjala, megjithatë ajo që konfirmohet është një lloj ndihme a favori të cilin ia kërko deputeti Arbër Rexhaj kolegut të tij Enver Dugolli.
Kjo duket se ndërlidhet me njëfarë verifikimi që duhet ta përfundojë Departamenti për Shtetësi, Azil e Migracion në kuadër të Ministrisë së Brendshme.
“A mundesh me pyt tash Enver? A e kane kry”, i drejtohet fillimisht Rexhaj kolegut të tij të partisë.
“Enver, Policia e paska kryer verifikimin dhe e ka dërguar ne MPB. Tash MPB duhet me përcjell ne MPJ. Me nje email mundet me ba, personi përgjegjës qenka ky, a e njeh? Meriton Krasniqi, qenka per Shtetesi, Azil e Migracion. Vec nje email ka me qu, a mundesh me thirr”, vazhdojnë më tutje fjalët e deputetit Rexhaj.
E duket se intervenimi nga Dugolli ka kryer punë. Pas pak minutash, Dugolli e njofton Rexhajn se është përcjellur përgjigja e këtij verifikimi. Ai i përmend diçka edhe vizat.
“Po, mbrame eshte përcjell përgjigja per njërin, dhe sot me thane per tjetrin. Tash po shoh se s’kam info si përcillen miratimet per viza”, ia ktheu deputeti Dugolli.
Pas kërkesës për ndihmë nga Rexhaj, bazuar në këto mesazhe, del se porosia është kryer. Megjithatë, për çfarë saktësisht nuk ka arritur të kuptohet.
Nacionale gjatë javës së kaluar publikoi mesazhe të tjera që shkëmbyen deputeti Enver Dugolli me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Nacionale ka siguruar disa mesazhe ndërmjet deputetit të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoni. Kjo lidhur me votimin e komisionerit parlamentar të FSK-së.
Në garë për këtë pozitë që pritej të votohej në Kuvend, ishin 3 kandidatë: Remzie Zeqiraj, Sami Hajrullahu dhe Fadil Hadërgjonaj.
Dugolli i shkruan ministrit Maqedonci se dikush nga kabineti i tij po bën fushatë për një kandidat tjetër, e jo për të cilin ka thënë ministri.
“Ministër, po ju njoftoj se dikush nga kabineti juaj, pa dijenin tuaj dhe në kundërshtim me propozimin tuaj dhe të KOMFSK, po thërrasin deputetët dhe po iu shkruajnë në emër të kabinetit që të përkrahet Samiu për komisioner”, thuhet në mesazhin që Dugolli ia dërgoi ministrit Maqedonci në WhatsApp, bisedë të cilën e ka siguruar Nacionale.
E ministri ia kërkon Dugollit emrat e atyre që po bëjnë fushatë fshehtas ndaj tij. Dugolli i tregon se është Rabit Konjufca, këshilltari i ministrit, njëherësh xhaxhai i kryeparlamentarit Konjufca.
“Kush është, a keni ndonjë info”, e pyet ministri Maqedonci.
“Rabiti është njëri por do shoh mos është edhe dikush tjetër”, ia kthen deputeti Dugolli.
E këtu, ministri i Mbrojtjes duket se indirekt paralajmëron masa.
“Ok se më duhet masanej me u marr me ta”, ia ktheu Maqedonci.
E këtu Dugolli i tregon ministrit se në mbledhjen para seancës, Dejona Mihali ua tha “troç” kënd ta votojnë.
“Besoj që po sepse kjo nuk len shije të mire me vepru në kundërshtim me vendimet tua. Dejona ua tha troç qëndrimin tuaj dhe të KOMFSK por më habiti fakti se si kanë guxim nga kabineti yt me bë këso veprime”, tha ai në mesazhin e siguruar nga Nacionale.
Megjithatë, këtu nuk ndalet gjithë ky komunikim. Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, më pas komunikon me deputetin e PDK-së, Isak Shabani. Atij i kërkon ta votojë njërin kandidat, për të cilin Shabani pajtohet dhe ia konfirmon votën.
“A do merrni pjesë në votimin për komisioner të FSK-së”, e pyeti Dugolli kolegun e tij nga opozita.
“Po”, përgjigjet shkurt Shabani.
“A ke ndonjë përcaktim” e pyet sërish Dugolli.
“Unë jo, s’du me përkrah askënd. Për Hadërogjen kanë disponim disa”, ia ktheu Isak Shabani i PDK-së.
E këtu deputeti i pushtetit ia tregon kërkesën e tij kolegut opozitar.
“Votoje për mua Remzijen”, i tha Dugolli.
“Po e votoj pa problem. Nëse thua ti”, tha Shabani.
“Është me integritet, invalide e luftës”, ia ktheu deputeti Dugolli.
Nacionale ka kontaktuar me deputetin e VV-së, Enver Dugolli, i cili ka thënë se nuk ka asgjë të keqe nga komunikimet që kanë bërë.