Vazhdon mostransparenca? Kurti 'fsheh' kompromisin e shprehur si nevojë nga kryediplomati britanik - NACIONALE

Vazhdon mostransparenca? Kurti 'fsheh' kompromisin e shprehur si nevojë nga kryediplomati britanik

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.

Sot ai është takuar me ministrin e ri të punëve të jashtme, James Cleverly.

Kështu ka bërë të ditur përmes një komunikate zyra e kryeministrit.

“Në këtë takim, kryeministri Kurti e uroi ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Cleverly për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përgjegjësitë e reja. Ai e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe e ftoi për bashkëpunim edhe më të thellë ndërmjet dy vendeve, në veçanti në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomi”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Megjithatë, ishte vet Cleverly ai që dha detaje shtesë lidhur me këtë takim të rëndësishëm.

“Sot e takova kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, para Samitit të Procesit të Berlinit. Diskutuam raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe për nevojën për kurajo dhe kompromis, në mënyrë që të përfitojnë qytetarët e të dy shteteve”, shkroi ai.

"Para-marrëveshjet"

Ky udhëtim në Mbretërinë e Bashkuar po ndodh pak ditë para nisjes së Samitit të Berlinit, aty ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje rajonale.

Ka zëra se të njëjtat marrëveshje do të jenë ogur për atë kryesoren që thuhet të shënohet deri në fund të muajit shkurt të vitit të ardhshëm.

Thuajse në secilin takim, qoftë të kryeministrit ose presidentes, kërkohet kompromisi me Serbinë.

Pakënaqësia

Autoritetet evropiane dhe ato amerikane gjithashtu u ndanë të pakënaqura me vendimin e Kurtit për çështjen e targave.

Përkundër faktit se thonin që e drejta është në anën e Kosovës, duke u thirrur në aktualitet dhe nevojën e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ky vendim duhet të shtyhet edhe pak.

Bashkimi Evropian doli me një komunikatë për media në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë Kurti, pra atë për targa.

“BE-ja ka marrë parasysh vendimin më të fundit të qeverisë së Kosovës në lidhje me targat. Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”, thuhej në komunikatën e BE-së.

Aleati

Refuzimi i Albin Kurtit për të shtyrë afatin për zbatimin e vendimit për targat, ka qenë arsyeja që Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu të premten publikisht pakënaqësitë me Qeverinë e Kosovës.

Në një komunikatë të publikuar në faqen zyrtare të DASh-it, u kërkua edhe njëherë që të shtyhet ky vendim.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të vendimit për targat. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhej në reagimin e SHBA-së.

Nuk dihet ende nëse komunikata është përgatitur para, apo pasi Qeveria Kurti prezantoi planin e ri në lidhje me këtë çështje.

Lajme të ngjashme