Vazhdon krimi në veri: Për 2 ditë digjen 5 vetura të serbëve me targa RKS - NACIONALE

Vazhdon krimi në veri: Për 2 ditë digjen 5 vetura të serbëve me targa RKS

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Veprimet e bandave kriminale në veri të vendit nuk kanë të ndalur. Në dy ditët e fundit këto grupe kanë shtuar kriminalitetin ndaj pronave të qytetarëve të rëndomtë në atë pjesë të Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas mesnatës janë djegur edhe tri vetura të qytetarëve serb të Kosovës në veri të Kosovës. Kjo ka ndodhur një ditë pas djegies së dy veturave tjera.

Veturat ishin të regjistruara me tabela RKS, e gjindeshin në rrugë të ndryshme të Mitrovicës së Veriut.

Policia ka njoftuar se sikurse në rastin e djeshëm edhe në atë të pasmesnatës, ata dolën menjëherë në vendin e ngjarjes, por pa arritur të identifikojnë ndonjë të dyshuar.

"Me 31 mars 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri. Pas dy veturave të djegura me datën 30.03.2023 në veri të vendit, pas mesnatës së datës 31.03.2023, iu është vënë zjarri edhe tri veturave të tjera, të cilat iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, e të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS)", është thënë në njoftimin e policisë.

Policia ka treguar se për rastin është njoftuar edhe prokuroria.

"Sikurse edhe në rastin e parë, edhe në rastin e dytë, pas pranimit të informacioneve, njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Lidhur me rastin, është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet ‘zjarrvënie’ për procedura të mëtejme hetimore. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj drejt hetimit dhe zbardhjes së rasteve të tilla, si dhe në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim", ka deklaruar policia.

Për djegien e veturave ka reaguar menjëhrë këshilltari i Presidentes Osmani, Blerim Vela, i cili intensifikimin e djegieve të veturave të serbëve lokal, e ka lidhur me zgjedhjet që pritet të mbahen në veri.

“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë fushatën e orkestruar të frikësimit kundër serbëve vendas në veri të Kosovës! Mbrëmë janë djegur edhe 3 makina të tjera vetëm se kishin targa RKS. Serbia po përpiqet të krijojë një klimë frike për të prishur jetën normale dhe zgjedhjet e 23 prillit” – ka shkruar Vela.

Kujtojmë se zgjedhjet për kryetar të katër komunave në veri pritet të mbahen me datë 23 prill.
Por, këto zgjedhje do të mbahen pa Listën Serbe, e cila nuk është regjistruar fare në KQZ.

Tabelat RKS

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, muajin e kaluar kanë njoftuar se numri i qytetarëve të cilët i kanë konvertuar tabelat në RKS, ka arritur në 38 sosh.

“Qytetarët tanë serb në veri po vazhdojnë të bëhen pjesë të procesit i cili për synim ka ligjshmërinë në shtetin tonë dhe rritjen e sigurisë në trafik. Interesimi i tyre për konvertim të targave po vazhdon ende dhe deri tani kemi 38 regjistrime të veturave dhe konvertimit të targave nga ilegale në ato legale të Republikës së Kosovës.” – shkroi Nora Fetoshi, këshilltare politike e ministrit.

Në 2 muajt e parë, interesimi i serbëve për t’i konvertuar tabelat ishte mjaft i vogël. Vetëm 20 qytetarë e respektuar vendimin e Qeverisë. Edhe ata, disa prej tyre u përballën me djegien e veturave, e Policia ende nuk e ka kapur asnjë autor.

Tri raste të djegieve të veturave ishin raportuar qysh në dy mujorin e parë të hyrjes në fuqi të vendimit.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni i kishte thënë Nacionales se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë është duke e hetuar këtë rast.

“Rreth orës 03:00 në Leposaviq është djegur vetura e një personi, policia në bashkëpunim me Prokurorinë janë në bashkëpunim, në mënyrë që të identifikohet edhe të arrestohet autorit ose atuorët e dyshuar”, ka deklaruar Preteni për Nacionalen.

Ngjashëm, Prokuroria po hetonte edhe dy rastet e tjera që kishin ndodhur më herët në pjesën veriore. Edhe ato raste, ndaj serbëve që respektonin vendimin e Qeverisë së Kosovës për tabelat RKS.

“Edhe për rastet e tjera po vazhdojnë hetimet, pa dyshim”, shtonte zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës.

Çka thanë Kryeministri e Presidentja?

Kurti, në lidhje me vendosjen e barrikadave fillimisht, si dhe ashpërsimin e kriminalitetit në veri, thoshte se ka të bëj me frikën e tyre ndaj sundimit të ligjit.

“Agresivitetit i tyre (grupeve kriminale v.j.), që është rritur, është shprehje direkte e frikës së tyre. Ata e dinë që sundimi i ligjit në Republikën tonë është më e fortë se çdo herë. Dhe prandaj, nga frika ata i kanë vendosur barrikadat dhe nga frika i hoqën ato” – thoshte Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte reaguar ashpër ndaj djegies së veturave, që po ndodh në veriun e vendit.

Osmani ka thënë se Kosova është në luftë kundër bandave, duke aluduar në strukturat ilegale në veri.

“Pakica që nuk i ka konvertuar targat, është për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme. Lufta jonë është kundër bandave. Në luftën tonë për sundim të ligjit, presim të kemi përkrahje të aleatëve tanë”,- tha Osmani

Ajo tha se vendimi për targat nuk është kundër qytetarëve serbë.

Qytetarëve serbë që po e zbatojnë ligjin, po i konvertojnë targat në RKS, po u digjen shtëpitë, makinat. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale e kriminale të personave që janë në listën e zezë të Amerikës, janë temë e sundimit të ligjit. Kosova është konfirmuar si shtet me më së shumti reforma në Evropë dhe reformuesi i dytë në botë. Kjo tregon që veprimet tona kanë qenë të drejta. Assesi kundër qytetarëve serbë. Por vetë fakti që 90% të serbëve i përdorin targat legale, është dëshmi që ky vendim nuk është kundër qytetarëve serbë”,- theksoi presidentja e vendit.

Kujtojmë se në Kosovë, deri para hyrjes në fuqi të vendimit për tabelat RKS, konsideroheshin se ishin mbi 10 mijë tabela ilegale, me akronime KM, PR, PZ, GL e kështu me rradhë.

Lajme të ngjashme