Serbët të kërcënuar, pak prej tyre i kthejnë tabelat në RKS – Çka pas 31 tetorit? - NACIONALE

Serbët të kërcënuar, pak prej tyre i kthejnë tabelat në RKS – Çka pas 31 tetorit?

1 vit më parë

nga Besian Beha

Rreth 10 mijë tabela ilegale me akronime PR, PZ, GL e kështu me radhë, vlerësohet të jenë në Kosovë. E përgjatë gjithë këtij muaji, serbët kanë pasur mundësinë t’i marrin tabelat RKS, sipas afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës që fundin e ka më 31 tetor.

Por, deri më tash vetëm 5 serbë i kanë marrë tabelat RKS. Dy prej tyre, iu janë djeguar veturat. Kjo për të treguar organizimin e strukturave kriminale serbe në veri, të cilat po synojnë ta pamundësojnë pajisjen e serbëve me tabela RKS.

Se janë vetëm 5 serbë që deri më tash janë pajisur me tabela RKS, e kishte konfirmuar edhe Minsitria e Brendshme. Prej tyre, dy automjete janë riregjistruar në dy komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, dhe nga një në Prizren, Dragash dhe Gjilan.

Pas 30 tetorit, veturat me tabela KM, PR, PZ, GL, do të konsiderohen se janë të paregjistruara, e si rezultat nuk do t’iu lejohet qarkullimi nëpër trafik. Kjo ka shtuar paralajmërimet se mund të ketë ndonjë tension të përsëritur sërish në veriun e vendit.

Eksperti i sigurisë në Kosovë, Drizan Shala ka deklaruar se në Kosovë ka pasur shtim të pjesëtarëve ushtarakë që janë vendosur në Bondsteel.

“Gjatë kësaj jave kanë ardhur në Kosovë rreth 600-1000 persona ushtarakë që janë ardhur në kampin Bondsteel dhe janë duke kryer disa aktivitete operacionale në territorin e Kosovës, në bashkërendim edhe me EULEX-in, bazuar në atë që mund të ketë tensionim të situatës, nëse nuk arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Shala për gazetën Nacionale.

“Situata bëhet edhe me komplekse për faktin që pala serbe në mënyre sistematike është duke rritur presionin kundër qytetareve të komunitetit serbë në Kosove që kanë pranuar institucionet tona”, theksoi ai.

“Djegja e veturave është vetëm në njërën anë. Në anen tjeter atyre iu bëhen shantazhe deri të largimi i të afërmeve të tyre nga institucionet e Serbisë apo edhe ndalja e ndihmave nga shteti i Serbisë nëse ata nuk do të zbatojnë vendimet e Beogradit zyrtar”, përfundoi Drizan Shala për gazetën Nacionale.

Sipas krerëve të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, situata aktualisht në veri është e qetë, por e brishtë. Ata nuk e kanë përjashtuar mundësinë e tensioneve të reja, pas skadimit të afatit i regjistrimit të makinave të serbëve deri më 31 tetor.

Zëvendëskomandanti i KFOR-it, Luca Piperni, ka thënë se KFOR-i mund ta rrisë numrin e forcave rezervë në rast të eskalimit të situatës.

Thirrjet e dështuara

Në fakt, tash e 2 muaj, kryeministri e ministrat e qeverisë, kanë pasur thirrje të vazhdueshme për serbët që t’i kthejnë tabelat në RKS. Kjo përveç nëpërmjet kampanjave informuese nëpër rrugë, është bërë edhe me video të cilat Kurti ua ka drejtuar në gjuhën serbe.

“Nga sot deri më 31 tetor, përgjatë 61 ditëve në 34 qendra të Regjistrimit të Automjeteve po rihapim dritaren e mundësisë për të konvertuar tabelat e regjistrimit të veturave ne ato të Republikës sonë të përbashkët”, kishte thënë Kurti në një video të shpërndarë.

“Konvertimi dhe regjistrimi i automjeteve me targa “RKS” i shërben rendit publik, ligjit dhe sigurisë”, u shpreh ai.

No description available.

“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, tha Kurti.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar se veturat me tabela që nuk konvertohen, nuk do të mund të qarkullojnë në rrugët e Kosovës.

“I gjithë ky proces do të zgjasë deri më 31 tetor. Dhe pas asaj, gjitha ata të cilët nuk e kanë shfrytëzuar këtë shans, këtë benefit, të cilën shteti i Kosovës e ka ofruar, do të jenë pronarë të veturave, të cilat nuk janë të regjistruara. Me këtë pastaj merret Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës, me ç’rast asnjë veturë nuk do të mund të qarkullojë as nëpër rrugët e Kosovës, por as nuk mund të shfrytëzojë pikë-kalimet kufitare të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Sveçla.

Sveçla kishte akuzuar presidentin serb dhe strukturat kriminale në veri, që po i kërcënojnë serbët e Kosovës.

Qëndrimi i Beogradit

Më 13 shtator, gjatë diskutimeve në Kuvendin e Serbisë për dialogun me Kosovën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij nuk është duke krijuar “kriza artificiale”, por akuzoi Qeverinë e Kosovës për një gjë të tillë.

“Rreziku është afër dhe serioz. Serbia, në asnjë mënyrë, nuk ka marrë pjesë në gjenerimin e krizës. Ne ishim dhe mbetemi vazhdimisht të përkushtuar për dialog”, tha Vuçiq.

No description available.

Ai po ashtu tha se nuk beson në “asnjë marrëveshje” me Qeverinë aktuale të Kosovës.

“Jemi përballë sfidave të mëdha të sigurisë”, tha ai.

Vuçiq kishte paralajmëruar se numri i serbëve që do t’i kthejnë tabelat nga ilegale në ato RKS, në asnjë mënyrë nuk mund ta kalojë shifrën 200.

Në anën tjetër qytetarët serbë, kanë vlerësuar se djegia e veturave dhe kërcënimet e ngjashme, mund të shkaktojnë hezitime tek ata që duan t’i marrin tabelat legale.

Lajme të ngjashme