Vazhdojnë protestat në Francë, i vihet zjarri objektit të komunës në Bordo - NACIONALE

Vazhdojnë protestat në Francë, i vihet zjarri objektit të komunës në Bordo

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndërtesës së komunës në Bordo të Francës i është vënë zjarri, përderisa në këtë shtet po vazhdojnë protestat kundër planit për ngritjen e moshës së pensionimit.

Më shumë se një milion njerëz dolën rrugëve në mbarë vendin të enjten – 119 mijë vetëm në Paris -, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, raporton televizioni BBC.

Policia hodhi gaz lotsjellës drejt protestuesve në kryeqytet dhe 80 pjesëmarrës të protestave u arrestuan nëpër pjesë të ndryshme të vendit.

Protestat janë nxitur nga legjislacioni për ngritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 64 vjeç. Sindikatat kanë bërë thirrje për protesta të reja për të martën, dita kur vendin pritet ta vizitojë mbreti Çarls III i Britanisë së Madhe.

Ai pritet të qëndrojë në qytetin jugperëndimor francez, Bordo, po atë ditë, ku zjarri e përfshiu portën e hyrjes së ndërtesës së komunës të enjten në mbrëmje pas një dite me përleshje mes protestuesve e policisë.

Nuk qe e qartë se kush ishte përgjegjës për zjarrin, i cili u shua shpejt nga zjarrfikësit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, u mundua që ta largonte shqetësimin e mundshëm para vizitës së mbretit britanik, duke thënë të enjten në mbrëmje se siguria nuk paraqet problem dhe se monarku do të jetë i mirëpritur.

Në Paris, protestat ishin paqësore, në përgjithësi, por pati disa raste të përleshjes mes policisë dhe protestuesve të maskuar, të cilët thyen dritare dyqanesh dhe sulmuan një restorant të kompanisë “McDonald’s”, raporton agjencia “Reuters”.

Një polic, i cili mbeti pa vetëdije, u tërhoq për në një vend të sigurt nga kolegët e tij. Policia holli gaz lotsjellës dhe u sulmua me fishekzjarrë e objekte. 33 persona u arrestuan në kryeqytet.

“E kundërshtoj këtë reformë dhe vërtet e kundërshtoj faktin se demokracia më nuk do të thotë asgjë. Nuk jemi duke u përfaqësuar dhe, kështu, jemi të lodhur”- tha një protestues.

Lajme të ngjashme