Vazhdojnë protestat në Francë, punëtorët e bllokojnë terminalin e aeroportit të Parisit
Punëtorët francezë, të zemëruar me ngritjen e moshës së pensionimit, e kanë bllokuar qasjen në një terminal të aeroportit “Charles de Gaulle” në Paris si pjesë e ditës së protestave gjithëkombëtare.
Shërbimi i trenave pati pengesa dhe disa shkolla u mbyllën, përderisa mbeturinat kanë mbetur rrugëve, kur sindikatat e shtuan presionin ndaj pushtetit për ta tërhequr ligjin që e ngre për dy vjet moshën e pensionimit, raporton gazeta “The Guardian”.
Në një autostradë afër qytet Toulouse, trafiku u bllokua nga djegia e disa objekteve për ta penguar qarkullimin. Bllokim të rrugëve për kohë të shkurtër pati edhe në qytete të tjera.
Një zëdhënës i aeroportit “Aeroports de Paris” tha se protesta spontane afër Terminalit 1 të aeroportit nuk do të ndikojë në fluturime.
Protesta janë planifikuar në mbarë vendin më vonë të enjten. Protestuesit i kanë vënë në shënjestër edhe depot e karburanteve dhe bllokuan një terminal të gazit natyror në qytetin verior, Dunkirk.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, të mërkurën tha se legjislacioni i ri, të cilin qeveria e miratoi pa votat e deputetëve javën e kaluar, do të hyjë në fuqi nga fundi i vitit pavarësisht nga zemërimi i publikut.
“Përgjigjja më e mirë që ne mund t’ia japim presidentit, është që ka miliona njerëz në grevë e në rrugë”- tha Philippe Martinez, i cili e udhëheq sindikatën “Konfederata e Përgjithshme e Punës”.
