Vazhdojnë negociatat: Kurti, Abdixhiku dhe Osmani ende në takim pas dy orëve - NACIONALE

Vazhdojnë negociatat: Kurti, Abdixhiku dhe Osmani ende në takim pas dy orëve

40 minuta më parë

nga NACIONALE

Janë bërë tashmë gati dy orë që kur ka nisur takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrit në detyrë, Hekuran Murati, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili shoqërohet nga Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani.

Takimi, që synon formimin e institucioneve dhe arritjen e një marrëveshjeje mes dy palëve, po vazhdon ende.

Më herët, Lumir Abdixhiku u pa duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës, i shoqëruar nga Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani.

Pak më vonë arritën edhe Kurti dhe Murati. Kryeministri në detyrë foli shkurt para mediave, duke deklaruar:

“Ne e kemi të mjaftueshme mbështetjen për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë, por për zgjedhjen e presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca por edhe opozita.”

Kurti foli edhe më herët gjatë ditës për këto takime, duke përmendur edhe Partinë Demokratike të Kosovës, e cila kishte refuzuar një takim tjetër.

“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”.

“Ndërkaq, nga ana tjetër, në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor, dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse, siç kemi thënë më herët, ashtu siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshmet të mbahen para vitit 2030. Pra, kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pas vlerësohet nga populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës dhe llogaridhënës në Republikën tonë demokratike e parlamentare”, tha Kurti.

Lumir Abdixhiku shprehu gatishmërinë për t'u takuar me Albin Kurtin menjëherë pasi i shpëtoi shkarkimit nga posti i kryetarit të LDK-së, duke hequr pezullimin e bisedimeve të vendosur më herët.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, gjatë fundjavës deklaroi se, nëse ka vullnet politik, të gjitha çështjet mund të mbyllen brenda 24 orëve.

Haziri përmendi tri parimet e LDK-së për bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje: marrëveshje për të gjitha institucionet ose për asnjërën, agjendë shtetërore dhe qeverisëse të përbashkët, si dhe ndarje të përgjegjësive.

“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”, ka thënë ai.

“Këto nuk janë çështje të thjeshta, por nëse ka vullnet politik dhe ka gatishmëri [nga LVV-ja], atëherë LDK-ja i përmbyll për 24 orë të gjitha çështjet parimore. Neve [në LDK] nuk na ndan asgjë, ndërkaq ndarja e përgjegjësive është krejt e fundit”, u shpreh Haziri për REL.

Lajme të ngjashme