Sekretarët amerikanë me deklarata optimiste për pakt me Iranin, lirohen karburantet
Çmimet e naftës të martën ranë në nivelin më të ulët në tri javët e fundit, pasi zyrtarë të lartë amerikanë e shtuan shpresën për një marrëveshje me Iranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, dhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent, njoftuan se bisedimet kishin shënuar përparim për lejimin e mundshëm të rinisjes së dërgesave nga kjo javë, raporton televizioni BBC.
Çmimi i një fuçie me naftë të papërpunuar ra për gati 5 për qind, nën 80 dollarë, pas lajmit se pengesat ndaj dërgesave mund të lehtësohen.
Megjithatë, dështimi i bisedimeve të mëparshme muajve të fundit për depërshkallëzimin e konfliktit mes ShBA-së e Iranit ka çuar në treg të brishtë të karburanteve dhe, në fund, vozitësit janë goditur me çmime më të larta në pompa të derivateve.
Të marrtën, rënie e çmimit për më shumë se 5 për qind u shënua edhe në bursën amerikane, “West Texas Intermediate”, në 76 dollarë për fuçi. Çmimet në të dyja bursat ranë në nivelin më të ulët nga 13 korriku.
Sekretari Rubio tha se është shënuar përparim në diskutimet me Iranin dhe Omanin për të lejuar më shumë anije që të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
“Ka pasur përparim që është bërë në ato bisedime, por ende jo përfundim. Ne po shpresojmë se kjo do të ndodhë shumë shpejt” – tha ai para gazetarëve në Departamentin e Shtetit.
Ndërkohë, sekretari Bessent tha se një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të arrihet hiç më vonë se të martën ose të mërkurën.