Varhelyi mirëpret marrëveshjen për targat: Negociatat duhet të vazhdojnë
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur mbrëmë.
Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se kjo marrëveshje ishte një hap i mirë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Sipas tij, tani duhet të vazhdojnë negociatat për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
“Mirëpresim lajmin se një marrëveshje e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës ishte e suksesshme për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. Negociatat duhet të vazhdojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar ai.
Në orët e mbrëmjes të së mërkurës, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, konfirmoi se Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për targa.
Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave, kurse Kosova do t'i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.