“Unë e kom dëgju”: Konjufca pretendon që QUINT-i ka thënë se "pa u kthyer serbët në institucione nuk ka Asociacion" - NACIONALE

“Unë e kom dëgju”: Konjufca pretendon që QUINT-i ka thënë se "pa u kthyer serbët në institucione nuk ka Asociacion"

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka folur sërish për Asociacionin, duke i bërë disa deklarata që... tingëlluan të çuditshme, dhe për të cilat nuk e dimë se ku është referenca.

Serbët e Kosovës në pjesën veriore të vendit (por jo vetëm) u larguan nga institucionet e vendit në muajin nëntor të vitit të kaluar, gjatë tensioneve që kishin të bënin me targat ilegale.

Çështja e targave u tejkalua politikisht, por serbët nuk u kthyen.

E një çështje të tillë e përmendi kryekuvendari Glauk Konjufca duke e lidhur me atë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Çka tha Konjufca?

“Unë e kom dëgju që vendet e Quintit kanë thënë se nuk ka Asociacion pa u kthy serbët në institucione. Le të na tregojnë a e kanë ndryshu këtë qëndrim vendet e Quintit apo jo. Unë e kam dëgjuar, mund të iu pajis edhe me deklaratën e tyre. Pa u kthy në institucione nuk ka Asociacion. Dmth nuk mund ta kushtëzoni Asociacionin, duke e shantazhu Kosovën prej Beogradit.” u shpreh ai sot para gazetarëve.

A është e vërtetë?

Në bazë të deklaratave publike që ka parë Nacionale deri tash, një kushtëzim i tillë nuk ekziston. Në fakt, ambasadorët e QUINT-it (ShBA, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar, Francë dhe Itali) kanë kërkuar vazhdimisht kthimin e serbëve në institucione, por jo duke e konsideruar si kusht për formimin e Asociacionit.

Si e kanë kërkuar kthimin e serbëve në institucione nga QUINT-i?

Së fundi në Kosovë ishte zyrtarja e lartë amerikane, Samantha Power, e cila e përmendi kthimin e serbëve në institucione përmes këtyre fjalëve:

“... tash për tash, përqendrimin e veçantë e kemi sjellur te Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe, si dhe rëndësinë që serbët të kthehen në institucione, sepse kjo do të jetë e rëndësishme që gjërat të jenë stabile dhe normalizimi të ecë para,”

Ndërkohë, së fundi në një intervistë për Kallxo.com, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott tha këto fjalë për çështjen:

“Kështu, unë mendoj se kjo duhet të bëhet pjesë e negociatave më të mëdha ndërkombëtare që janë duke ndodhur, e cila duhet të jetë rreth gjetjes së mënyrave që serbët e Kosovës të kthehen në institucione dhe që qeveria e Kosovës duhet të bëjë maksimumin për ta mundësuar këtë.”

Çështja e kthimit të serbëve në institucione nuk ishte diskutuar deri tash në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Në takimin e fundit të nivelit të lartë, që u mbajt më 2 maj mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, ishte prezantuar një draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Ekipi Menaxhues, dhe i cili ishte cilësuar si skandaloz nga shumë faktorë në Kosovë, përfshirë edhe Qeverinë.

Por, a e ka Kosova nën kontroll çështjen e dialogut? Në bazë të fjalëve të z. Konjufca, gjërat nuk duken aq mirë.

Lajme të ngjashme