Qesh ‘i fundit’ për Asociacionin Isa Mustafa: Profesori ‘shpall’ fitoren, frikësohet për Konjufcën - NACIONALE

Qesh ‘i fundit’ për Asociacionin Isa Mustafa: Profesori ‘shpall’ fitoren, frikësohet për Konjufcën

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Mbrëmjen e kaluar bëri jehonë një intervistë e ish-kryeministrit Isa Mustafa. Marrë parasysh proverbën popullore “qesh mirë ai që qesh i fundit”, kjo intervistë përbënte qeshjen e fundit, dhe qeshjen e mirë pikërisht të Isa Mustafës.

“Isë, Isë, argat i Serbisë,” – e quante Vetëvendosje Isa Mustafën, derisa kryeministri Kurti aludonte se ai mund të ishte “super-kriminel” pas akt-gjykimit të Gjykatës Kushtetuese për dokumentin mbi parimet e përgjithshme të vitit 2015.

Por, disa ditë më parë, Glauk Konjufca kishte befasuar të gjithë duke i njohur më në fund rolin Mustafës duke u shprehur si vijon:

“Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtoj që edhe qeveria Mustafa e ka përdor. Nuk thash kurrgjë. Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ja jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon,” kishte thënë kryeparlamentari Konjufca.

Kryeministri Kurti në anën tjetër, letrën në fjalë e përdori në preambulën e draft-vizionit të tij për Asociacionin të shpalosur më 2 maj 2023 në Bruksel.

Qeshja e fundit

Isa Mustafa qeshi i fundit për çështjen në fjalë. Përpos letrës së Mogherinit, ai përmendi njëkohshëm edhe pikën dy të dokumentit mbi parimet e ku parashihej dërgimi i statutit në Gjykatën Kushtetuese, siç në fakt edhe kishte ndodhur. Por, të ndalemi te Konjufca.

Nuk e dimë nëse me ironi ose pa ironi, por Mustafa u frikësua për fatin e z. Konjufca pas deklaratës së tij.

“Konjufca ka qenë i sinqertë në atë deklaratë. Mirë është kur njerëzit e thonë të vërtetën. Por a do t’i kushtojë kjo vërtet z. Konjufca apo jo politikisht, kjo është punë tjetër. Unë mendoj se nuk do t’ia lënë dorën rehat zotit Konjufca nëqoftëse ai do të ma jepte dorën për këtë...” – u shpreh ish-kryeministri.

A po ia lënë ‘dorën rehat’ Konjufcës? Një gjë të tillë për momentin nuk mund ta themi.

Çka tha për letrën? Në fakt, Mustafa shkoi edhe më tej duke treguar një tjetër gjë të rëndësishme, shumë të rëndësishme që mund të përdorej:

“Është mirë me përdor (letrën e Mogherinit). Është mirë me përdor. Është mirë me përdor pajtimin e Serbisë në atë kohë që statuti dhe vendimi i Qeverisë duhet t’i dërgohen Gjykatës Kushtetuese në shqyrtim sepse e ka nënshkruar vetë... dhe ajo është, mendoj që ka qenë një e arritur shumë e madhe.”

Por, pse nuk po përmendet dërgimi në Gjykatën Kushtetuese i draft-statutit të ri të Asociacionit i cili po negociohet në Bruksel?

“Unë mendoj se ka rrezik (që të shmanget dërgimi në Kushtetuese i statutit të ri të Draft-Statutit)” – tha ish-kryeministri, duke shprehur frikë se Kurti po themelonte diçka edhe më të keqe se Asociacioni i marrëveshjes së vitit 2013.

“Po frikësohem tash që z. Kurti po themelon diçka edhe ma të keqe se sa ai Asociacion që është paraparë në marrëveshjen e vitit 2013. Sepse kjo tash me vetëmenaxhim është më shumë se Asociacion.” - tha z. Mustafa.

Por, si erdhi deri te Asociacioni?

Ai shpjegoi në detaje për një gjë të tillë, duke thënë se ishte paraparë qysh në Rezolutën e OKB-së që erdhi pas opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010.

“As unë e as z. Thaçi s’e kemi dialogu çështjen e Asociacionit, por për një gja të tillë na ka obligu rezoluta e Kombeve të Bashkuara (OKB). Dhe ne pas opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pasi ka dalë ky opinion, Bashkimi Evropian ka kërkuar që të sillet një rezolutë në Kombet e Bashkuara (OKB) e cila i obligon Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me dialogun për çështje të cilat kanë mbetë. Dhe mbi këtë bazë është hapë pastaj ky dialog, i cili po zhvillohet sot. Sepse kërkush s’e ka pasë ndërmend me bo dialog, por na ka obligu një rezolutë e Kombeve të Bashkuara (OKB).” – argumentoi z. Mustafa.

A është ky një prej rikthimeve më interesante në politikën kosovare? Duket se po, marrë parasysh që kryeministrit Kurti do t’i duhet të përdor atë që ka bërë Mustafa për të shmangur më të keqen.

Lajme të ngjashme