"Haxhiu kishte ftesë në margjinat e Samitit të NATO-s", Maqedonci: U vlerësua që s’duhet të marrë pjesë - NACIONALE

"Haxhiu kishte ftesë në margjinat e Samitit të NATO-s", Maqedonci: U vlerësua që s’duhet të marrë pjesë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur për mospraninë e Kosovës në Samitin e NATO-s, ndërsa ka treguar një detaj interesant, pasi sipas tij, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kishte ftesë për një takim në kuadër të margjinave të Samitit, por që është vlerësuar nga ana e saj të mos jetë prezente.

Mirëpo, pas polemikave dhe kritikave nga akterë të ndryshëm se Kosova nuk është pjesë e takimeve të Samitit të NATO-s, në reagimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, ky detaj nuk ishte theksuar.

“Republika e Kosovës deri më tani nuk ka marrë pjesë në një Samit të NATO-s si shtet pjesëmarrës. Pjesëmarrja e Kosovës në të kaluarën ka qenë në kuadër të aktivitetit ‘Women, Peace and Security’ (Gratë, Paqja dhe Siguria), të organizuar nga Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në margjinat e Samitit të NATO-s. Ky aktivitet ishte një ngjarje e veçantë, e organizuar paralelisht me samitin, dhe nuk përbënte pjesëmarrje në vetë Samitin e NATO-s”, kishte thënë ndër të tjera MPJD në reagimin e saj.

E pothuajse të njëjtën përgjigje për këtë çështje e kishte dhënë edhe Ministria e Mbrojtjes, pa e bërë publike se Haxhiu kishte ftesë në kuadër të margjinave të Samitit.

Ndërsa sot, ministri në detyrë i Mbrojtjës, Ejup Maqedonci në një intervistë për KosovaPress, e zbuloi një detaj interesant, kur tha se Haxhiu kishte ftesë në kuadër të margjinave të Samitit, por që është vlerësuar të mos jetë pjesë e këtij aktiviteti, siç e quajti ai, “roundtable”.

Maqedonci fillimisht tha se ka qenë agjenta e saj që e ka pamundësuar që Haxhiu të shkojë në këtë takim, ndërsa, shtoi se, duke mos qenë pjesë e Samitit, por vetëm e margjinave të tij, është vlerësuar të mos jetë pjesë e këtij takimi njëditor.

“Në margjinat e këtij Samiti, vitin e kaluar ishte ftuar ish-presidentja Osmani, sivjet është ftuar ushtruesja e detyrës së presidentes, zonja Haxhiu. Ne kemi diskutime të vazhdueshme me znj. Haxhiu për pjesëmarrjen tonë në aktivitete që lidhen me NATO-n, në këtë rast ka qenë agjenda e saj që ia ka pamundësuar. Kjo është një aktivitet nga Këshilli i Atlantikut, ftesa ka qenë për një takim njëditor, në "roundtable", dhe vlerësoj se, duke mos qenë pjesë e diskutimeve të Samitit, duke qenë vetëm në margjinat e tij, është vlerësuar që të mos jetë pjesë ndoshta e atij aktiviteti "roundtable". Kosova edhe këtë radhë është ftuar të jetë pjesë e margjinave, por Samiti është i dizajnuar për 32 vendet e NATO-s”, ka thënë Maqedonci.

Ndërsa, për të qenë pjesë e takimeve të larta, siç tha ai, duhet të jesh pjesë e NATO-s ose partnere e NATO-s në kuadër të Indo-Pacific Four (IP4).

Lajme të ngjashme