Pamje: Ukraina thotë se disa raketa ruse janë shkatërruar në Krime - NACIONALE

Pamje: Ukraina thotë se disa raketa ruse janë shkatërruar në Krime

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka thënë se disa raketa ruse me vetëdrejtim, të cilat planifikohej të përdoreshin nga Flota e Detit të Zi, janë shkatërruar nga një shpërthim në qytetin Dzhankoi të Krimesë së aneksuar.

Ministria ukrainase nuk e mori përgjegjësinë për këtë shpërthim, por, nëse shpërthimi vërtetohet, ai do të paraqiste një sulm të rrallë e të guximshëm të forcave ukrainase në zemrën e territorit të aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Rusia më 2014, raporton gazeta “The Guardian”.

Një bazë ajrore ushtarake ruse ndodhet afër qytetit Dzhankoi dhe zyrtarët ukrainas kanë thënë për një kohë të gjatë se ky vendbanim dhe rrethina e tij janë shndërruar në bazën më të madhe ushtarake në Krime.

Zyrtarët rusë atje thanë se qyteti ishte në shënjestër të një sulmi me dron. Sergei Aksenov, guvernator i emëruar nga Rusia i Krimesë, tha se armë kundërajrore janë hedhur afër Dzhankoi-t, por nuk tregoi pse dhe nuk i përmendi raketat me vetëdrejtim. Sipas tij, nga mbetjet e armëve është lënduar një person dhe janë dëmtuar një shtëpi e një dyqan.

Anton Gerashchenko, këshiltarr në Ministrinë e Brendshme të Ukrainës, publikoi një video në të cilën tha se shfaqet një stacion treni në qytet duke u goditur nga një shpërthim i fuqishëm. Nuk qe e mundur që të vërtetohej pretendimi i tij.

Të hënën, drejtoria kryesore e inteligjencës e Ministrisë së Drejtësisë të Ukrainës tha: “Një shpërthim në qytetin Dzhankoi në pjesën veriore të Krimesë së pushtuar përkohësisht shkatërroi raketa ruse me vetëdrejtim, “Kalibr-KN”, përderisa ato po transportoheshin përmes hekurudhës.”

Kjo drejtori tha se raketat do të hidheshin nga Flota e Detit të Zi e Rusisë dhe se ato kishin rreze veprimi prej më shumë se 2.500 kilometrash në tokë dhe prej 375 kilometrash në det.

Ihor Ivin, kryetar i emëruar nga Rusia i administratës në Dzhankoi, citohet të ketë thënë se qyteti është sulmuar me dronë dhe se një burrë 33-vjeçar është lënduar nga copëzat e një droni të rrëzuar.

Lajme të ngjashme