Kryeministri i Japonisë, Kishida, do ta vizitojë sot Ukrainën - NACIONALE

Kryeministri i Japonisë, Kishida, do ta vizitojë sot Ukrainën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, do të bëjë të martën një vizitë të befasishme në Ukrainë për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, një ditë pasi presidenti kinez, Xi Jinping, u takua në Moskë me homologun rus, Vladimir Putin.

Kishida tashmë është larguar nga India, ku u takua me homologun indian, Narendra Modi, dhe tashmë është rrugës për në Ukrainë, sipas transmetuesit publik japonez, NHK.

Ministria e Jashtme e Japonisë konfirmoi se kryeministri Kishida do të takohet të martën me presidentin Zelensky në Kiev.

Udhëtimi i tij është hera e parë që një kryeministër japonez viziton një shtet ose rajon me konflikt të vazhdueshëm që nga Lufta e Dytë Botërore, raportoi televizioni NHK.

Kjo do të jetë edhe vizita e parë në Ukrainë e një anëtari aziatik të Grupit G7 dhe e para nga një aleat i Shteteve të Bashkuara në rajon, raporton televizioni CNN.

Kishida më parë ka folur ashpër kundër pushtimit rus të Ukrainës. Ai paralajmëroi vitin e kaluar: “Ukraina sot mund të jetë Azia Lindore nesër.”

Muajin e kaluar, në prag të njëvjetorit të fillimit të luftës, Japonia u zotua për ndarjen e 5,5 miliardë dollarëve për ndihma humanitare për Ukrainën, duke i katërfishuar ndihmat e mëparshme të Tokios.

“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës nuk është vetëm një çështje evropiane, por një sfidë ndaj rregullave dhe parimeve të tërë komunitetit ndërkombëtar”- ka deklaruar më parë kryeministri japonez.

Lajme të ngjashme