Konfirmohet vizita treditore e presidentit kinez në Rusi
Kina ka njoftuar se presidenti i saj, Xi Jinping, do të qëndrojë në Rusi nga e hëna deri të mërkurën. Kjo vizitë është shfaqje e qartë e përkrahjes për presidentin rus, Vladimir Putin, raporton agjencia “Associated Press”.
Edhe Kremlini njoftoi të premten për këtë vizitë, duke thënë se ajo do të zhvillohet “me ftesën e Vladimir Putinit”.
Në një deklaratë, Kremlini tha se dy presidentët do të diskutojnë për “çështje të zhvillimit të mëtejmë të bashkëpunimit gjithëpërfshirës dhe ndërveprimit strategjik mes Rusisë dhe Kinës” si dhe do të shkëmbejnë pikëpamje “në kontekstin e thellimit të bashkëpunimit ruso-kinez në arenën ndërkombëtare”.
Më tej, në deklaratë thuhet se dy udhëheqësit do të nënshkruajnë “dokumente të rëndësishme dypalëshe”.
Kina ka shpallur miqësi “pa kufi” me Rusinë dhe ka refuzuar që ta dënojë pushtimin rus të Ukrainës, edhe pse ka deklaruar se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve duhet të respektohet.
Pekini i ka dënuar sanksionet e Perëndimit ndaj Moskës dhe i ka akuzuar NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara për provokimin e Rusisë.
Putini e ftoi homologun kinez për vizitë në Rusi gjatë një bisedime me video-lidhje në fundin e dhjetorit. Sipas presidentit rus, kjo vizitë do të mund “ta dëshmonte para tërë botës fuqinë e lidhjeve ruso-kineze” dhe “të bëhej ngjarje kryesore politike e vitit në marrëdhëniet dypalëshe”.
Në një bisedë të rrallë telefonike me homologun e vet ukrainas të enjten, ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, tha se Pekini është i shqetësuar se lufta mund të dalë jashtë kontrollit dhe bëri thirrje për zhvillimin e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

