Ukraina pretendon se ka vrarë 100 ushtarë rusë afër Soledarit
Disa zyrtarë ukrainas kanë pretenduar se 100 ushtarë të armikut janë vrarë nga sulmet ndaj një pozicioni rus afër qytezës Soledar, në lindje të Ukrainës.
Në një deklaratë të publikuar të enjten, Forcat e Operacioneve Speciale të Forcave të Armatosura të Ukrainës thanë se kishin vërejtur “një përqendrim të armikut” dhe kanë përdorur artileri e një sistem raketor të periudhës sovjetike për ta kryer këtë sulm, raporton televizioni CNN.
“Si rezultat i këtyre sulmeve, shkatërrimi i më shumë se 100 pushtuesve, dy ekipeve të mitralozëve dhe dy ekipeve të mortajave është konfirmuar”- deklaroi ushtria ukrainase, duke e vlerësuar lart punën e forcave speciale, ushtarëve të artilerisë dhe të atyre që hedhin raketa.
Televizioni CNN nuk ka mundur që ta vërtetojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim dhe Ukraina nuk ka ofruar dëshmi për këto sulme.
Javëve të fundit, Ukraina ka pretenduar se ka kryer disa sulme për të cilat ka thënë se kanë vrarë shumë ushtarë rusë.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka thënë se rreth 500 ushtarë rusë janë vrarë ose janë plagosur nga një sulm afër qytezës Chulakivka të rajonit jugor ukrainas, Kherson, natën e Vitit të Ri.
Televizioni CNN nuk ka mundur që ta vërtetojë në mënyrë të pavarur këtë pretendim dhe Rusia nuk ka bërë komente publike për këtë çështje.
Megjithatë, edhe Ukraina, edhe Rusia kanë pranuar se ka ndodhur një sulm pak pas mesnatës, në orët e para të vitit 2023, në objektin e një shkolle profesionale ku ndodheshin rekrutë rusë në Makiivka.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka raportuar për 89 ushtarë të vrarë nga ky sulm, ndërsa ushtria ukrainase ka pretenduar se rreth 400 ushtarë rusë janë vrarë në këtë rast.
Televizioni CNN nuk mund t’i vërtetojë numrat e raportuar nga të dyja palët, por duket se ky sulm ishte njëri prej më vdekjeprurësve për forcat ruse që nga fillimi i luftës në shkurtin e vitit të kaluar.
Mbi 500 civilë ende në Soledar, thotë Ukraina
Më shumë se 500 civilë ende ndodhen në qytezën Soledar, kur forcat ruse dhe ukrainase po i vazhdojnë përpjekjet për ta marrë nën kontroll këtë vendbanim, sipas Pavlo Kyrylenko-s, drejtor i administratës rajonale ushtarake në Donetsk.
Duke folur në një televizion ukrainas të enjten në mëngjes, Kyrylenko tha se “deri më tani, atje janë 523 persona”. Ai shtoi se shumica e tyre janë mbi moshën 50-vjeçare dhe se nuk ka informata që mes tyre të ketë fëmijë.
Forcat ruse kanë pretenduar se kanë shënuar përparim në terren në Soledar ditëve të fundit, aty ku janë zhvilluar disa prej luftimeve më të ashpra të luftës.

