Ushtria ukrainase mohon se forcat ruse e kanë kapur qytezën Soledar - NACIONALE

Ushtria ukrainase mohon se forcat ruse e kanë kapur qytezën Soledar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria ukrainase ka mohuar se forcat ruse e kanë rrethuar dhe se e kanë kapur qytezën Soledar, pas pretendimeve të shefit të grupit të mercenarëve, “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, se ky vendbanim ka rënë.

Serhiy Cherevatyi, zëdhënës i Grupit Lindor të Forcave të Armatosura të Ukrainës, tha: “Rusët thonë se është nën kontrollin e tyre, nuk është e vërtetë”.

Kapja e Soledarit dhe e minierave të mëdha të kripës atje do të kishte vlerë simbolike, ushtarake dhe tregtare për Rusinë, por situata përreth atij vendbanimi duket e paqëndrueshme dhe asnjëri pretendim nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur.

Prigozhini ka publikuar një fotografi ku ai, një grup luftëtarësh dhe një tank për të cilin tha se është marrë në njërin nga tunelet e një miniere kripe në jugperëndim të qytezës.

Ai, gjithashtu, këmbënguli se vetëm njësitet e kompanisë së tij paramilitare – shumë anëtarë të së cilës janë të dënuar që u është ofruar falja, nëse luftojnë për të – kanë qenë të përfshira në luftimet për Soledarin.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, pretendoi se “beteja të vështira janë duke vazhduar për ta mbajtur Soledarin”, shkruan gazeta “The Guardian”.

“Armiku nuk u jep vëmendje humbjeve të mëdha të personelit të tij dhe vazhdon që të mësyjë aktivisht. Vendet afër pozicioneve tona janë thjesht të mbushura me trupat e luftëtarëve të vdekur të armikut”- shtoi ajo.

Megjithatë, në përmbledhjen e mëngjesit të ushtrisë ukrainase, Soledari u përmend vetëm një herë, duke e futur atë në listën e disa vendeve që po granatohen në rajonin e Donetskut.

Forcat ruse i kanë përqendruar rishtazi përpjekjet e tyre për kapjen e Soledarit si pjesë e ambicieve për t’i marrë nën kontroll qytetin strategjik, Bakhmut, dhe tërë rajonin e Donbasit. Beteja të ashpra janë zhvilluar në këtë qytet në temperatura të ulëta gjatë pesë ditëve të kaluara.

Prigozhini pretendoi të martën vonë se forcat e tij e kanë marrë nën kontroll tërë Soledarin, duke i rrethuar forcat ukrainase në qendër të qytezës.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuara ka thënë ditë më parë se trupat ruse dhe luftëtarët e grupit “Wagner” mund ta kenë marrë kontrollin e shumicës së Soledarit pas përparimit të shënuar për katër ditë.

Lajme të ngjashme