Rusia po mundohet që ta marrë Soledarin, vazhdojnë luftimet e ashpra
Trupat ruse kanë zgjeruar një sulm ndaj qytezës Soledar, në lindje të Ukrainës, duke i detyruar forcat ukrainase që t’i zmbrapsin sulmet e udhëhequra nga mercenarët, thanë zyrtarët në Kiev.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha të martën se forcat ruse dhe pjesëtarët e grupit “Wagner” tash ndoshta e kanë kontrollin në shumicën e qytezës pas përparimeve të katër ditëve të kaluara.
Soledari shtrihet në rajonin e Donbasit, pak kilometra larg Bakhmutit, ku trupat e të dyja palëve kanë pësuar humbje të rënda nga disa prej luftimeve më të ashpra që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar.
“Boshti i Rusisë në Soledar është, me shumë gjasë, një përpjekje për ta rrethuar Bakhmutin nga veriu dhe për t’i penguar linjat ukrainase të komunikimit”- tha inteligjenca britanike.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e zakonshëm të mbrëmjes të hënën se Bakhmuti dhe Soledari po mbahen pavarësisht nga shkatërrimi i gjerë i tyre.
Ai përmendi sulme të reja e më të ashpra në Soledar, ku, sipas tij, nuk kanë mbetur mure të ngritura dhe toka është mbuluar me kufoma të rusëve.
“Duke iu falënderuar qëndrueshmërisë së ushtarëve tanë në Soledar, ne kemi fituar për kohën shtesë dhe fuqinë shtesë të Ukrainës”- tha Zelensky. Ai nuk shpjegoi se çfarë deshi të thoshte përmes fitimit të kohës ose të fuqisë.
Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk i përmendi as Soledarin, as Bakhmutin në një konferencë për medie të hënën, shkruan agjencia “Reuters”.
Apeli për armë
Zyrtarët ukrainas, të udhëhequr nga komandanti Valery Zaluzhniy, kanë paralajmëruar se Rusia është duke përgatitur ushtarë të freskët për një ofensivë të re kundër Ukrainës, me gjasë në kryeqytetin Kiev.
Presidenti Zelensky ka bërë thirrje për armë më moderne nga partnerët perëndimorë për t’i zmbrapsur sulmet ruse dhe përfundimisht për t’i dëbuar pushtuesit.
Të hënën, ai e vazhdoi fushatën e tij përmes përpjekjeve diplomatike, duke biseduar me kryeministrin e Republikës Çeke, Petr Fiala.
“Jam i sigurt se ushtarët tanë në front do t’i marrin këto armë dhe pajisje, shumë shpejt”- tha presidenti ukrainas.
Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Franca premtuan javën e kaluar se do t’i dhurojnë Ukrainës automjete të blinduara luftarake, duke përmbushur një kërkesë të vjetër të Ukrainës. Mbretëria e Bashkuar është duke e shqyrtuar furnizimin e Ukrainës me tanke për herë të parë, sipas një burimi të cituar nga televizioni “Sky News”.
