Ukraina e godet Melitopolin e pushtuar nga rusët, shtohen fjalët për kundërofensivë - NACIONALE

Ukraina e godet Melitopolin e pushtuar nga rusët, shtohen fjalët për kundërofensivë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina goditi të mërkurën një depo hekurudhash dhe shkaktoi ndërprerje të rrymës një qytetin e pushtuar nga rusët, Melitopol, thellë prapa vijës së frontit, në kohën e shtimit të fjalëve se Kievi është duke u përgatitur për një kundërofensivë ndaj forcave ruse të dërrmuara nga ofensiva e dështuar dimërore.

Në disa fotografi të pavërtetuara në internet shihen shpërthime që e ndriçonin qiellin me vija të bardha në Melitopol, bazë e administratës pushtuese në Zaporizhia, një prej pesë rajoneve të cilat Rusia pretendon se i ka aneksuar, raporton agjencia “Reuters”.

Kryetari ukrainas në ekzil i këtij qyteti konfirmoi se atje kishte shpërthime. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, duke cituar zyrtarë të emëruar nga Moska, tha se një depo hekurudhash është shkatërruar dhe rryma në qytet dhe në fshatrat përreth tij është ndërprerë.

Melitopoli, qytet që para luftës kishte rreth 150 mijë banorë, është qendër e logjistikës së hekurudhave për forcat ruse në pjesën jugore të Ukrainës dhe është pjesë e një rripi tokësor që e lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar më 2014.

Nuk pati informata publike për llojin e armëve që Ukraina ka mundur t’i ketë përdorur për këtë sulm. Qyteti shtrihet në pjesën e skajshme të rrezes së raketave HIMARS, por brenda rrezes së armëve më të reja për të cilat thuhet se është duke i përdorur, përfshirë bombat JDAM dhe municionet GLSDB, që ia ka premtuar ShBA-ja. Rusia tha se rrëzoi një sistem GLSDB të martën, në herën e parë që ka raportuar për një veprim të tillë.

Këto sulme ndodhën pas deklaratave të Kievit se së shpejti mund të organizojë një kundërsulm ndaj forcave ruse, të cilat kanë dështuar që të sigurojnë ndonjë fitore të madhe gjatë ofensivës disamujore me disa prej luftimeve më të përgjakshme të luftës.

Lajme të ngjashme